Hahn: Shqipëria në krizë politike, në plan të parë problemet, këto pengojnë hapjen e negociatave

Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Johannes Hahn iu drejtoi ditën e djeshme një thirrje të gjitha palëve politike shqiptare që të gjejnë gjuhën e dialogut para vendimit për hapjen e negociatave apo jo në tetor. Gjatë një interviste të dhënë për gazetën austriake “Der Standard”, Hahn deklaroi se tani është momenti që partitë politike të kuptojnë seriozitetin e situatës dhe të zgjidhin krizën.

“Ne ende po punojmë që të dy shtetet të mund të nisin negociatat. Por nuk është sekret se vlerësimi për Maqedoninë e Veriut mes vendeve anëtare është më i mirë. Të dy vendet kanë përmbushur kriteret e kërkuara nga shtetet anëtare të BE si një kusht. Kjo është arsyeja se përse kemi bërë një rekomandim pozitiv.

Por Maqedonia e Veriut jo vetëm ka arritur reformat e kërkuara, por ka nënshkruar edhe marrëveshjen historike të Prespës dhe gjithashtu një traktat miqësie me Bullgarinë. Për Shqipërinë tani për fat të keq në plan të parë janë problemet, kjo pasi opozita nuk është në parlament, qeveria ka vështirësi për të udhëhequr dialogun dhe se ka një procedurë për shkarkimin e presidentit”, tha Hahn.

Sipas tij, një krizë politike mund të ndikojë tek vendimi i Bashkimit Evropian për të hapur apo jo negociatat. “Natyrisht vendet anëtare të BE gjithashtu vlerësojnë situatën e përgjithshme politike në një shtet. Nuk mund ta them këtu nëse mund të hapen apo jo negociatat. Ka kaq shumë dinamikë këtu brenda.

Shpresa ime është që të gjitha forcat politike në Shqipëri ta kuptojnë seriozitetin e situatës dhe atë që po bëjnë me sjelljen e tyre. Kjo për shkak se 80 përqind e popullsisë e dëshiron nisjen e negociatave për anëtarësim, votuesit e të gjithë partive e mbështesin këtë”, deklaroi Johannes Hahn.

Në vijim ai e ndali theksin edhe tek reforma në drejtësi. Në këtë pikë, ai iu dërgoi një mesazh presidentit dhe opozitës për mungesën e Gjykatës Kushtetuese. “Reforma në Drejtësi ishte një nga kriteret për vlerësimin e progresit të Shqipërisë. Dhe Shqipëria ka bërë përparim të mirë këtu.

Të akuzosh për shembull shqiptarët se nuk po punon Gjykata Kushtetuese, është e padrejtë, sepse kjo tregon vetëm sesa e suksesshme ka qenë puna e komisionit të ngritur për të larguar prokurorët dhe gjykatësit e korruptuar nga sistemi”, u shpreh Johannes Hahn.

Exit mobile version