Hahn: Zgjedhjet e lira do bëjnë diferencën për hapjen e negociatave

European Union Commissioner designate for Regional Policy Johannes Hahn from Austria is seen during his hearing at the European Parliament in Brussels, Thursday Jan. 14, 2010. (AP Photo/Thierry Charlier)

“Mos u nxitoni me kërkesën për hapjen e negociatave në fund të vitit”. Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Johannes Hahn i këshillon Tiranës zyrtare të mos nxitohet me kërkesën për hapjen e negociatave në fund të këtij viti. Sipas tij, kriteret që do të bëjnë diferencën për hapjen e negociatave janë: zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme; fillim i besueshëm i procesit të Vettingut dhe lufta e efektshme kundër drogës.
Komisioneri për Fqinjësinë dhe negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn këshillon Tiranës zyrtare të mos thërrasë fitore para kohe për hapjen e negociatave të anëtarësimit këtë vit. Në një takim me korrespondentët e Ballkanit në Bruksel, komisioneri Hahn është shprehur, se hapja e negociatave me Shqipërinë mund të arrihet nëse kriteret e përcaktuara nga Brukseli do të trajtohen në një mënyrë inkurajuese dhe do të prodhojnë rezultate pozitive. Kjo deklaratë vjen pas artikulimit të Kryeministrit Edi Rama, sipas të cilit Brukseli duhet të përgatitet për hapjen e negociatave në fund të vitit:
“Është mirë të kërkosh hapjen e negociatave, por ne mund ta arrijmë këtë ose mund të reagojmë nëse kriteret që kemi kërkuar vazhdimisht do të trajtohen në një mënyrë inkurajuese dhe do të prodhojnë rezultate pozitive. Së pari, ne do të shohim zgjedhjet dhe shpresoj të kemi një raport pozitiv nga ODIHR, së dyti, një fillim të besueshëm të procesit të Vettingut dhe së treti, luftë të efektshme në luftën kundër drogës”.
Në përgjigje të pyetjes së “ABC News”, komisioneri Hahn është ndalur veçanërisht te çështja e drogës, duke thënë, se ka një shtim të prodhimit dhe trafikut të drogës dhe se kjo çështje duhet trajtuar seriozisht, pasi kjo krijon një reputacion të rrezikshëm për vendin. Komisionerin Hahn, sheh si më të volitshme rekomandimin për hapjen e negociatave në fillim të vitit të ardhshëm:
“Ne duhet të shohim se ç’mund të arrihet deri në tetor-nëntor, pasi duhet t’u raportojmë vendeve anëtare. Ajo që është e rëndësishme është cilësia e reformave dhe jo shpejtësia. Të krijosh presion në kohë, ndoshta ndihmon si nxitje kundrejt disave, por nga ana tjetër nuk përbën dallim thelbësor nëse ne e bëjmë në nëntor apo janar, aq më tepër nëse kemi më shumë siguri në janar që po shkojmë drejt një rezultati pozitiv që mbështetet nga shtetet anëtare. Nuk kam si qëllim që thjesht të paraqes një raport, por të kem garanci paraprakisht, që ai do të mbështetet nga shtetet anëtare”.
Komisioneri Hahn, ka përsëritur, se duhet evituar efekti kundraproduktiv, ku bëhet shumë presion dhe rezultati është negativ. Sipas Johannes Hahn, ajo që nevojitet është një bashkim kombëtar të qeverisë dhe opozitës për të përmbushur kriteret e përcaktuara për hapjen e negociatave.

Exit mobile version