Hajdeni mblidhuni kundër qeverisë, të rrëzojmë SPAK që lufton korrupsionin!

Nga Namir Lapardhaja

Çdo protestë qytetare e thirrur nga grupe të caktuara interesi, është e mirëpritur dhe duhet mbështetur pa më të voglin hezitim.

Një shoqëri që proteston ndaj keqqeverisjes tregon se ajo nuk e ka humbur nervin qytetar.

Të protestosh ndaj korrupsionit të Edi Ramës është detyrë qytetare, por modeli që i serviret përballë nuk mund të jetë riciklimi i një klase politike që e ka shpërdoruar besimin e njerëzve, duke qenë po aq e korruptuar sa pushteti i sotëm.

Nuk mund të thirren qytetarët të protestojnë kundër qeverisë, ndërkohë që e gjithë retorika është kundër SPAK dhe drejtësisë.

Njerëzit e kanë të qartë se ata që liriuan të korruptuarit bashkë me Ramën, ata që penguan reformën zgjedhore bashkë me Ramën, ata që po shantazhojnë SPAK bashkë me Ramën, bëjnë lojëra luftash për t’u hedhur hi syve të njerëzve, që të mos shohin rrugën pa krye ku i ka futur halli personal i një njeriu të vetëm.

Opozita e ka provuar shpeshherë rrugën e protestave dhe të bojkotit dhe dihet se ku ka dalë e ku ka arritur.

Qëllimi i një opozite është krijimi i një modeli dhe alternative morale si shpresë për njerëzit dhe pasqyrë të keqqeverisjes.

Për një kohë të shkurtër, PD e drejtuar nga Basha, nëpërmjet Kuvendit programor të 1 qershorit, duket se dha një fije shprese dhe një rreze drite, se kjo alternativë do të sendërtohej për zgjedhjet e vitit të ardhshëm dhe shqiptarët e kishin programin për të cilin duhet të votonin, mirëpo vendimi i Apelit, përpjekja e pushtetit të Edi Ramës për të mbajtur me çdo mënyrë përpara një alternativë si ajo e Berishës që nuk përçon shpresë për ndryshim, por maksimumi për riciklim, e zhbëri këtë mundësi, duke vijuar ta fragmentarizojnë grupimin edhe më shumë në dobi të pushtetit dhe të dëm të shqiptarëve.

Nëse nuk arrihet të krijohet një alternativë për shqiptarët, protestat e thirrura në pikun e vapës së nxehtë të korrikut, do të vijojnë të shuhen sapo vjeshta të trokasë në derë dhe sërish produkti i arritur do të jetë ai që gjithmonë është “arritur” nga protesta të tilla.

Aq më tepër kur është e qartë se nuk është protestë për njerëzit, por për hallexhiun majë ballkonit dhe eunukët që presin t’i mbarojë koha biologjike për t’i zënë karrigen politike.

Fushën politike po e spastron SPAK, shqiptarëve u mungon alternativa politike.

Këta që janë në pushtet janë thellësisht të korruptuar, ata që kanë thirrur protestën duan të përdorin njerëzit si mburojë ndaj drejtësisë që i heton për korrupsion.

Exit mobile version