Hajdutët e artit në Kiev

Kiev, një ditë e papërcaktuar e vitit 2007. Një skuadër speciale e GUBOP-it, departamentit të Ministrisë së Brendshme të specializuar në luftën kundër krimit të organizuar, shpërthen derën e një apartamenti të qytetit. Operacioni futet në një hetim të zakonshëm mbi një trafik të paligjshëm droge e armësh dhe sulmi është planifikuar nga një anëtar i skuadrës, Ivan Klimenko. Ivani ka aspiruar gjithmonë në diçka më të mirë, një hop cilësor. Gjatë viteve të fundit ka kërkuar shumë herë që të caktohet në një departament të SBU-së, shërbimit sekret ukrainas, por kandidatura e tij është refuzuar gjithmonë. Agjenti Klimenko pothuajse është dorëzuar për ta kaluar pjesën e mbetur të karrierës në trupën e policisë. Atë mbrëmje, Ivani merr pjesë në bastisje. Apartamenti është në pronësi të një biznesmeni të lidhur me oligarkinë ukrainase. Ndërsa kërkojnë armë apo drogë, njerëzit e skuadrës gjejnë diçka të papritur: dhjetëra piktura, të mbledhura dhe të ruajtura në cilindra kartoni. Klimenko i vëren dhe në kokë i shkrep një shkëndijë: këto piktura mund të përfaqësojnë kthesën e karrierës së tij. Domethënë mund të bëhen mall shkëmbimi për të siguruar atë transferim që tashmë po e kërkon prej kohësh. Agjentët nuk mendojnë dy herë, pak rëndësi ka se të kujt janë pikturat dhe vendosin që t’i trafikojnë për t’u rishitur dhe nxjerrë një shumë të majme.
Në Ukrainën e këtyre viteve, të mbajtur nga sisteme pushteti të mbyllura, nga enturazhe të kufizuara e të korruptuara, ku aparatet shtetërore janë ngushtësisht të lidhura me ato të oligarkëve, kufiri midis drejtësisë dhe kriminalitetit është mjaft i butë. Policia dhe shërbimet sekrete nuk përbëjnë përjashtim. Sigurisht, agjentët nuk mund ta imagjinonin se brenda pak vitesh Ukraina do të bëhej terren përplasjeje midis Perëndimit dhe Rusisë, që do të shkaktonte një luftë në rajonin lindor, se regjimi në qeveri do të binte, i zëvendësuar nga një klasë politike e re që mbahet si më liberale. Nuk mund të dijnë agjentët e skuadrës speciale, por këto ngjarje me rëndësi historike për vendin e tyre do të përfundojnë për t’i ndryshuar jetët e tyre. Edhe atë të Ivanit. Do të detyrohen që të marrin rrugë të ndryshme, duke marrë pas vetes ato piktura, të cilave ua injorojnë prejardhjen. Pa dijen e tyre, sapo kanë marrë pjesë në një prej kapitujve vendimtarë të një ndodhie shumë më komplekse, që i kalon kufijtë kombëtarë. Ajo që policët injoronin është se ato piktura qenë vjedhur disa vite më parë nga muzeu i një qyteti të vogël holandez dhe qysh atëherë konsideroheshin të humbura përgjithmonë, përpara se të rishfaqeshin papritmas në Kiev.
Rreth këtyre pikturave ka marrë formë një krizë diplomatike midis Holandës dhe Ukrainës me impakt mediatik të madh, që ka vënë në rrezik edhe strategjinë e zgjerimit në lindje e Bashkimit Europian, pasi më 6 prill holandezët kanë votuar për t’i dhënë dritën jeshile MSA-së së Ukrainës me Bashkimin Europian. Ndodhia e pasagjerëve në fluturimin Malaysia Airlines MH17, i rrëzuar në Ukrainën Lindore në korrik të 2 viteve më parë me 298 pasagjerë në bord, midis të cilëve 196 qytetarë holandezë, ashtu si edhe kjo e pikturave të vjedhura, që sipas hetuesve nga Amsterdami tani duhet të jenë në duart e shërbimeve sekrete ukrainase, e kanë shtyrë opinionin publik të Vendeve të Ulëta të votojnë kundër. Pak ditë përpara referendumit, Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker ka komentuar: “Në rast se do të fitonte “jo”-ja do të kishim një humbje politike të konsiderueshme për BE-në”. Për të kuptuar sesi një vjedhje pikturash mund të ketë efekte politike të këtyre përmasave, u duhet dhënë përgjigje dy pyetjeve: si patën përfunduar këto piktura në një apartament të Kievit? Dhe, sidomos, kush i ka në ruajtje ato tani?

Borys
Interpretuesit e kësaj historie janë hajdutë të rëndomtë, oligarkë, politikanë, policë të korruptuar dhe shërbime sekrete. Një prej këtyre protagonistëve paraqitet me 4 gusht 2015 në Ambasadën holandeze në Kiev. Është një burrë trupmadh i ngjeshur, duket se ka pak më shumë 40 vite. Sytë e vegjël e të qartë, lehtësisht të shtrembër, me fytyrë të gjerë, të rrethuar nga një mjekër bionde, i japin një pamje të rreptë. Ka kaluar një vit nga ardhja në pushtet e Presidentit të ri pasrevolucionar Petro Poroshenko, ndërsa rajoni lindor i Krimesë është vetëshpallur i pavarur me mbështetjen e Rusisë. Në Donbass, milicitë e Kievit dhe ato proruse vazhdojnë të luftojnë. Ndjenja nacionaliste ukrainase, kësaj radhe e prekur nga një frymëzim  nostalgjik pronazist, u jep jetë milicive të ndryshme që mbështesin qeverinë dhe që luftojnë me indipendentistët. Njeriu që po hyn në një portë anësore të Ambasadës holandeze në Kiev ka qenë komandant i njërës prej tyre. Kush e njeh e përshkruan si një personazh pak të rekomandueshëm. Quhet Borys Humenyuk dhe ka qenë për disa vite komandanti i një milicie proqeveritare dhe neonaziste që quhet Organizata e Nacionalistëve Ukrainas, e njohur më mirë si OUN. Ka takim me Arthur Brand, një hetues privat holandez. Duhet të diskutojnë për ato piktura të vjedhura nja dhjetë vite më parë, sepse Borys thotë që e di se ku ndodhen: në Donbass, në vilën e një anëtari të enturazhit të ish-Presidentit prorus Viktor Yanukovich, i arratisur në shkurt në Rusi pas revoltave të Maidanit.
Ata që e këshillojnë t’i drejtohet ambasadës kanë qenë disa politikanë të njohur prej tij. Ish-komandanti i milicisë është i gatshëm të bashkëpunojë, por kush e dërgon, thotë Borys, kërkon në shkëmbim 50 milionë euro. Brand është një hetues i specializuar në vepra arti të vjedhura dhe është dërguar në Kiev prej muzeut nga ku janë zhdukur pikturat. I ka studiuar ato dhe i thotë Humenyuk se vlera aktuale e tyre nuk i kalon 1.3 milion eurot dhe dëmet e shkaktuara nga një dekadë keqtrajtimesh e kanë bërë vlerën e tyre të zbresë në rreth 500 000 euro. Zakonisht, atij që gjen objekte arti i takon 10 përqindëshi i vlerës, kështu që Brand nuk mund t’i premtojë më shumë se 50 000 euro. Borys ruan qetësinë, pavarësisht se shifra është shumë larg nga kërkesat fillestare. Përgjigjet se do t’ia referojë atij që posedon pikturat. “Por po ju paralajmëroj se nuk besoj që do të arrij ta bind kë më ka dërguar këtu”. Qysh nga ajo ditë, Borys zhduket. Holandezët kërkojnë të rivendosin kontaktet me të, duan të dinë se për llogari të kujt është paraqitur të bëjë pazar. Por qysh atëherë ai refuzon të flasë për ato piktura dhe tallet përpara gazetarëve: “Në ambasadë më kishin quajtur një hero të Holandës. Doja vetëm t’i ndihmoja dhe nuk kam kërkuar kurrë para. Por tani nuk dua të flas më për këtë ndodhi”.

“Hilarion 2011”
Hoorn është një qytet i vogël i Holandës, nja 60 kilometra në veri të Amsterdamit, ku bregu që qëndron përballë një baseni artificial që derdhet në Detin e Veriut bën një dredhë dhe mbyllet në vetvete. Një radhë ishujsh që shikojnë detin e hapur mbron portin e qytetit. Falë pozicionit ideal për ankorim, në shekullin e XVII-të ku basen u bë një burim pasurie unik për lundërtarët e kurorës holandeze dhe u bë djepi i së ashtuquajturës “epokë të artë” e Vendeve të Ulëta. Në Hoorn e pati bazën një prej gjashtë Dhomave të Kompanisë Holandeze të Indive Lindore, domethënë një prej gjashtë porteve kryesore nga ku niseshin anijet drejt kolonive. Willem Schouten, një prej lundërtarëve më të rëndësishëm të të gjitha kohërave që lindi pikërisht këtu, vendosi që t’i bëjë homazh vendlindjes së tij, duke i dhënë emrin e zbulimit më sensacional të tij, atë të pikës më jugore të Amerikës Jugore, që Schouten e pagëzoi pikërisht Cape Hoorn. “Shiko, kjo histori është… e pabesueshme”.
Ad Geerdink është Drejtor i Muzeut Westfriesen të Hoorn dhe na pret në studion e tij. “Dua të them, fakti që një muze i vogël si ky i yni ka përfunduar në një kontestim me përmasa të ngjashme midis vendit tonë dhe Ukrainës”. Geerdink rindërton vjedhjen e më shumë se 10 viteve më parë, natën e 9 janarit 2005. “Dikush është fshehur nën një sarkofag të ekspozuar në muze dhe është mbyllur brenda pas mbylljes së darkës. Natën ka arritur të çaktivizojë sistemin e alarmit dhe ua ka hapur derën disa bashkëpunëtorëve. Kanë marrë gjithçka: argjendari, porcelan dhe dhjetëra piktura. 21 piktura për saktësi, vepra të piktorëve vendas, por me rëndësi të madhe historike dhe artistike, të realizuara midis shekullit të XVII-të dhe të XX-të. Përtej asaj ekonomike, vlera artistike dhe historike e pikturave është e paçmueshme”.
Kuadrot duket si të zhdukur në hiç deri në 2014, kur një prej pikturave të vjedhura shfaqet në një forum online rus, ku pjesëmarrësit shkëmbejnë informacione për veprat e artit. Njëri prej tyre e quan veten “Hilarion 2011” dhe poston foton e një pikture, “Rebecca dhe Eliezer” e Jan Linsen, e datuar 1629. Hilarion kërkon informacione lidhur me autorin dhe sidomos mbi vlerën e mundshme të saj. Një tjetër pjesëmarrës i përgjigjet se piktura për të cilën po flet është e vjedhur dhe në këtë pikë Hilarion, i demaskuar, zhduket nga forumi. “Dikush po kërkon t’i shesë pikturat në tregun e zi, në internet”, shpjegon drejtori. Gazeta ukrainase “Vesti” ka zbuluar kohët e fundit se disa prej pikturave janë propozuar në ankande të mbyllura bile edhe në Itali. “Por është e vështirë që dikush të jetë i gatshëm t’i blejë sapo zbulon se bëhet fjalë për vepra të vjedhura”.

“Futbollisti”
Vjedhja u bë çështje diplomatike dhe nga dhjetori i kaluar përfundon shpesh në faqet e gazetave të të dyja vendeve. Njëra prej tyre është holandezja “De Volkskrant”, që në fillim të 2016 citon burime të shërbimeve sekrete ukrainase për të rindërtuar disa prej aspekteve të errëta të çështjes. Vjedhja e pikturave në 2005, referon e përditshmja, u urdhërua nga një afarist me emrin Vladimir Polubotka, President i një skuadre futbolli të Donbass, të quajtur Alchevsk. Polubotka kishte pasur probleme më parë me drejtësinë. I mbiquajtur “Futbollisti”, dyshohet se ka financuar luftëtarët prorusë në rajonet lindore. Sipas burimeve të cituara nga gazeta, apartamenti në të cilin futet skuadra speciale e GUBOP-it disa vite më parë dhe kishte gjetur pikturat i përkiste Polubotka. Pas këtij aksioni, agjenti Klimenko nuk ja ka dalë me planin e tij, bile ish-agjenti GUBOP-it i kalon vitet e fundit duke shërbyer në Policinë e Transporteve.
Ndërkohë, aktivistët e sheshit “Maidan” kërcënojnë spastrime në brendësi të forcave të sigurisë dhe kështu që Klimenko vendos të arratiset nga Kievi e të spostohet në Donbass, saktësisht në Luhansk, ku kanë shkuar tashmë anëtarë të ndryshëm të enturazhit të ish-Presidentit Yanukovich, duke marrë me vete disa piktura. “Në vend që të na i kthejnë veprat apo të informojnë Interpolin, shërbimet sekrete ukrainase i kanë mbajtur dhe kanë provuar që t’i shesin”, shpjegon Geerdink. Kanali televiziv Hromadske, me një hetim shumë të thelluar bazuar mbi burime të shërbimeve sekrete, ka sqaruar se në një farë mënyre, Klimenko dhe anëtarë të tjerë të asaj skuadre të GUBOP-it ua kanë propozuar këto piktura anëtarëve të nivelit të lartë të politikës dhe të shërbimeve sekrete. Hetimi i gazetarëve dhe ai i kryer nga Arthur Brand konvergjojnë në dy emra: Valentyn Nalyvaichenko, ish-shef i SBU-së, dhe Oleg Tyahnybok, ish-parlamentar dhe lider aktual i lëvizjes antisemite të së djathtës ekstreme Svoboda. Hetuesit holandezë zbulojnë edhe një lidhje midis Tyahnybok dhe Humenyuk, ish-komandantit të milicisë OUN që u paraqit në ambasadën holandeze për të bërë traktativa lidhur me pikturat: në zgjedhjet e fundit administrative, Borys kandidoi në radhët e Svoboda si zëvendëskryebashkiak i Kievit.
Christina Ravlyuk, zëdhënëse e Tyahnybok, u ka konfirmuar gazetarëve se e ka njohur Humenyuk, por me tone të qeshura ka hedhur poshtë çdo përfshirje: “Sa kilogram marihuanë u kanë paguar shërbimet sekrete ruse holandezëve për të vënë në qarkullim budallallëqe të tilla? Në vend që të shkojnë e të shikojnë në FSB. Ata po e montojnë këtë aferë”. FSB-ja është një njësi elitë e trupave speciale ruse, më shumë i njohur si “Grupi Alfa”. Prania e njësivee speciale të huaja të dërguara nga Moska në Krime është prej kohësh një prej çështjeve më të vështira të konfliktit në rajonet lindore dhe është objekt akuzash të ndërsjella midis Kievit dhe Moskës, prova, thonë ukrainasit, që Rusia ka nisur një operacion ekspansionist sipas rregullave në Krime. Pikturat e vjedhura bëhen kështu instrument propagande për dy versione të kundërta: ajo proruse, që akuzon për vjedhjen shërbimet sekrete ukrainase, dhe ajo e Kievit, që në fakt ia vesh përgjegjësinë skuadrave speciale ruse.

“Kuti të zeza”
“Deri më tani autoritetet ukrainase nuk kanë kryer asnjë hetim”, thotë drejtori i muzeumit holandez, “dhe bashkëpunimi i Kievit ka qenë pothuajse hiç”. E gjithë afera ka përfunduar për të influencuar prirjet e votës për referendumin e 6 prillit. Holanda ka qenë vendi i fundit i Bashkimit Europian që duhej të shprehej akoma mbi MSA-në me Kievin, që në periudhë afatshkurtër ka të bëjë me qarkullimin e lirë e njerëzve dhe mallrave. “Rrëzimi i fluturimit MH17 dhe afera e pikturave të vjedhura kanë çuar në një fitore të “jo”-së”, thotë Geerdink, që flet për një opinion publik holandez “shumë të tronditur”, që nuk do të bëjë aspak me një vend që deri më tani ka sjellë vetëm belara. Referendumi nuk është detyrues, por është vështirë që qeveria të vendosë ta injorojë vullnetin popullor. Presidenti ukrainas Poroshenko ka siguruar se do të bashkëpunojë me hetuesit holandezë, Interpolin dhe se do të ndërhyjë tek shërbimet sekrete për t’i gjetur pikturat. Por deri më tani nuk ka shkuar përtej fjalëve të mira. “Shiko, historia e këtyre pikturave, vazhdon drejtori i muzeumit, demonstron se edhe pas revolucionit në Ukrainë ka qëndruar në këmbë një sistem kutishë të zeza, në brendësi të të cilave rinovohen pushtete të korruptuara, mbi të cilat as Poroshenko nuk mund të ndërhyjë”. Edhe Pavlo Klimkin, ministri i Jashtëm i Kievit, dhe Arsen Avakov, ministri i Brendshëm, kanë përsëritur se ngjarja është orkestruar nga “personazhe që tentojnë të përbaltin imazhin e vendit në funksion të votës holandeze”, me një referim implicit për separatistët prorusë të Donetsk.
Ndërkaq, në muzeumin e vogël të Hoorn kanë krijuar një sallë të tërë në kujtim të pikturave të vjedhura. Në mure mbesin kornizat boshe të lëna nga hajdutët mbi 10 vite më parë. “U duhet kujtuar të gjithë vizitorëve ajo që ka ndodhur”, shpjegon Geerdink, duke na treguar sallë me drita të ulëta. “Mua nuk më intereson politika. Dua vetëm që ato vepra të kthehen tek ne, që jemi pronarët e ligjshëm të tyre. Në rast të kundër, pjesë e historisë dhe e kulturës tonë do të mbetet si faqja e bardhë e një libri”.

Exit mobile version