Ka zgjatur shumë pak periudha e pushimeve për Armando Sadikun dhe Burim Kukelin. Dy kuqezinjtë pas Europianit fantastik që zhvilluan me kombëtaren kuqezi janë rikthyer në stërvitje me skuadrën e tyre të Zyrihut në përgatitjet për sezonin e ri. Në seancën e parë Sadiku dhe Kukeli u stërvitën në mënyrë të diferencuar, duke i kushtuar më tepër rëndësi anës fizike. Të dy lojtarët luajtën një rol të rëndësishëm te Shqipëria në Euro 2016-të, pasi ishin dy titullarë fiks dhe dy futbollistë të pazevendësueshëm në skemat e trajnerit Gianni De Biasi.
Sadiku me golin që realizoi ndaj Rumanisë arriti t’i jepte fitoren e parë historike kombëtares kuqezi në një eveniment madhor siç është kampionati europian. Falë paraqitjeve që zhvilloi në Francë vlera e 25-vjeçarit në merkato është rritur ndjeshëm, madje presidenti i Zyrihut, Ancillo Canepa kërkon plot 7,5 milionë euro për ta lënë të lirë lojtarin.
Për Sadikun interesohen klube nga Italia, Gjermania dhe Turqia. Edhe pse ka nisur zyrtarisht stërvitjen me skuadrën janë të pakta gjasat që sulmuesi nga Elbasani të qëndrojë te Zyrihu edhe sezonin e ardhshëm, pasi vështirë se Sadiku do të pranojë të luajë në kategorinë e dytë me formacionin e trajnerit Uli Forte. Ndërkohë, Burim Kukeli i intervistuar nga “Blick” në seancën e parë stërvitore me Zyrihun u rikthye të fliste për eksperiencën që përjetoi me Shqipërinë në Euro 2016-të. “Për ne ishte një përvojë e paharrueshme, jemi dëfryer, por na vjen mirë që kemi bërë të lumtur të gjithë shqiptarët me paraqitjet tona në Europian. Pritja që na rezervuan pasi u kthyen në Shqipëri ishte me të vërtetë madhështore theksoi Burim Kukeli.