Nga Doriana Musai
Ia vodhën gërmat teatrit. Natën.
Hajdutët vjedhin natën. Kur s’ka sy.
Ranë vetë!- thanë Hajdutët.
Sot kërkojnë vota se Hajdutët duan të vazhdojnë të vjedhin se janë të paaftë të punojnë me ndershmëri.
Rivendosja e gërmave shqipe në ballinën e teatrit, ishte një akt i vogël në dukje. Nga 500 lekë na ra të gjithëve të paguanim. Kishte më shumë njerëz që donin të dhuronin, por vlera u përmbush në pak orë dhe besimi se do ta rikonstruktonim ishte aq e madhe, sa njerëzit u ngushëlluan se do të mund të kontribuonin atëhere.
E shembën natën teatrin. Hajdutët.
U ndihmuan nga policia dhe forcat speciale RENEA. 1500 policë vetëm brenda unazës së vogël të Tiranës. Deri në Bradashesh e në Maminas kishte postoblloqe që ndalonin hyrjen në kryeqytet. Futën krimin e organizuar në rradhët e policisë. I veshën me uniformat e shtetit dhe dhunuan njerëzit.
Sot disa prej tyre janë në burg. Të tjerë vijnë vërdallë nëpër Tiranë me bisht ndër shalë. Disa janë në listën e turpit ku u gdhendën dhe do të qëndrojnë aty deri sa të kenë jetë. Të tjerë janë në pritje të dalin para drejtësisë, dhe ka ende nga ata që flenë me një sy hapur se mos i del emri.
Një ditë do japin llogari të gjithë firmëtarët për shembjen e teatrit, sepse përdorën vulat e shtetit shqiptar kundra shqiptarëve, historisë dhe trashëgimisë së tyre.
7 maj 2019, Aleanca e qytetarëve në mbrojtje të teatrit, zgjodhi shkrimtarin dhe artistin Rudi Erebara, për të ringritur dinjitetin e atij tempulli të kulturës dhe rezistencës qytetare.