Prokuroria e Apelit për Krime të Rënda ankimoi vendimin e dhënies së pafajësisë 10 anëtarëve të organizatës terroriste “Hakmarrja për Drejtësi”. Rekursi në Gjykatën e Lartë është dorëzuar, duke kërkuar kështu shfuqizimin e vendimit të pafajësisë. Burime pranë Prokurorisë së Apelit për Krimeve të Rënda, bënë të ditur se, prokurorët shprehen se ky vendim i dhënë nga 5 gjyqtarë të Gjykatës së Apelit Tiranë është dhënë në kundërshtim me ligjin. Në rekurs, thonë prokurorët, kërkohet të lihet në fuqi vendimi i Shkallës së Parë, që shpalli fajtor të pandehurit për 17 akuza të rënda penale që nga vrasja e ish-drejtorit të Burgjeve, Bujar Kaloshi dhe deri tek bomba e vendosur tek supermarketi i VEFA-s.
Burimet nga Prokuroria bënë të ditur se duhet të lihen në fuqi dënimet: Burgim të përjetshëm për Altin Arapin, Orik Shytin dhe Gentian Cakën, 25 vite burg Roland Shyti. Ndërsa Dritan Hate, Leart Shyti, Nikolin Novruzaj dhe Kreshnik Spahiu, Prokuroria thotë se duhet të shpallen fajtorë dhe të dënohen me nga 24 vite burg secili. Ndërkaq i pandehuri Pasho Novruzaj, sipas akuzës, duhet të dënohet me 17 vjet heqje lirie, ndërsa Gëzim Gjoni me 5 vjet burg. Këto masa dënimi, sipas Prokurorisë janë dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe duhet të lihen në fuqi, duke shfuqizuar vendimin e Apelit që i shpalli të pafajshëm 10 të pandehurit.
Vetëm pak ditë më parë, pesë gjyqtarët Alaudin Malaj, Artur Kalaja, Stavri Kallço, Sotiraq Lubonja dhe Etleva Temo i dhanë pafajësi 10 anëtarëve të organizatës terroriste. Dy themeluesit e organizatës terroriste “Hakmarrja për Drejtësi” janë djemtë e Hajredin Shytit, një prej figurave të rëndësishme të Ministrisë së Brendshme në diktaturën komuniste. Hajredin Shyti u dënua me 17 vjet burg për “vrasje me dashje indirekte” të 4 demonstruesve civilë në 2 prill 1991 në Shkodër. Themelimi i kësaj organizate terroriste nisi si një hakmarrje për dënimin e Shytit për të krijuar destabilitet në vend.
Në fakt shpallja e pafajësisë për anëtarët e organizatës terroriste ishte paralajmëruar që në mars të vitit 2016, ku Gjykata e Lartë riktheu për gjykim dosjen “Hakmarrja për Drejtësi”, duke ia kaluar atë për gjykim Apelit të Krimeve të Rënda.
Rikthimi i shqyrtimit të dosjes “Hakmarrja për Drejtësi” është bërë me porosi të Ramës, i cili i ka bërë një presion të jashtëzakonshëm Gjykatës së Lartë për t’u dhënë pafajësinë dy terroristëve Leart dhe Orik Shyti, të dënuar me burg për jetë. Leart dhe Orik Shyti u dënuan para 6 vitesh me burgim të përjetshëm për aktin terrorist të vendosjes së autobombës në qendër të Tiranës tek supermarketi i VEFA në vitin 1996 dhe vrasjen në këtë akt terrorist të 6 qytetarëve dhe plagosjen e 13 të tjerëve, thyerjen e bankave dhe vrasjen e drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Bujar Kaloshi në vitin 1996 e një seri vrasjesh dhe grabitjesh të tjera, si dhe vrasjen e shoferit të Prokurorit të Përgjithshëm, Dhori Sollaku në vitin 2000 në mes të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Gjykatat shqiptare i kanë dënuar shtetasit Altin Arapi dhe Orik Shyti me burgim të përjetshëm, në kuadër të dosjes “Hakmarrja për Drejtësi”, ndërkohë që për Gentian Cakën është vendosur 25 vjet burg, ndonëse Prokuroria kishte kërkuar burg përjetë. Po kështu, janë dënuar me 24 vjet Leart Shyti dhe me 25 vjet burg Roland Shyti. Për vendimin e pafajësisë ka nisur edhe një hetim administrativ KLD-ja.