Hapja e urës në lumin Ibër, Albin Kurti: Vazhdojmë konsultimet dhe koordinimet me partnerët tanë!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të mërkurën se Qeveria e tij do t’i vazhdojë konsultimet dhe koordinimet me partnerët e Kosovës në lidhje me rihapjen e urës mbi lumin Ibër në veri.

 

“Ne do t’i vazhdojmë konsultimet dhe koordinimet me partnerët tanë. Hapja e urës nuk është kundër askujt, veçmas kundër partnerëve ndërkombëtarë”, tha Kurti gjatë një mbledhjeje të Qeverisë së tij të mërkurën.

Rihapja e urës për qarkullim edhe të automjeteve, e cila ndan Mitrovicën në jug me shumicë shqiptare dhe në veri me shumicë serbe, është kundërshtuar nga bashkësia ndërkombëtare dhe nga serbët lokalë.

Vendet e QUINT-it, SHBA, Britania, Franca, Gjermania dhe Italia, e kanë quajtur të njëanshëm vendimin e Qeverisë së Kurtit për rihapjen në këtë kohë. BE-ja ka bërë thirrje që çështja e urës të diskutohet në dialog me Serbinë.

Çështja e urës ishte edhe temë diskutimi mes Kurtit dhe komandantit të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Ozkan Ulutash, të martën vonë.

“Me komandantin e KFOR-it biseduam për hapjen e urës kryesore mbi Ibër në Mitrovicë, të cilën ne e konsiderojmë si një gjë të drejtë të nevojshme dhe të dobishme për të gjithë”, tha Kurti të mërkurën.

Pas takimit të së martës mes Kurtit dhe Ulutasit, KFOR-i tha se është thelbësore që të gjithë aktorët të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet e njëanshme që mund të krijojnë tensione.

Ushtarët italianë të KFOR-it ndodhen në urën mbi lumin Ibër, ndërsa pjesëtarët e Policisë së Kosovës ndodhen afër saj gjithashtu.

Ditë më parë KFOR-i tha se nuk dëshiron të spekulojë për ndonjë skenarë në të ardhmen, nëse institucionet e Kosovës i kërkojnë që të largojë praninë e saj nga ura mbi lumin Ibër.

Ambasadori i amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë të martën se ka rrezik të vërtetë lidhur me hapjen e urës në Mitrovicë në këtë kohë, që mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.

“Ne besojmë se ky rrezik rrit kërcënimin, mundësinë e dhunës dhe problemet e tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë që po punojnë për të siguruar paqen dhe sigurinë në Kosovë”, tha Hovenier.

Autoritetet kosovare kanë kryer testimin e urës dhe punime në urë kohëve të fundit.

Ministria e Infrastrukturës e publikoi të martën më herët një raport fillestar për testimet e kryera në urë, duke thënë se është e “qëndrueshme dhe funksionale” dhe se ajo mund të përdoret për shfrytëzim pa asnjë kufizim ngarkese.

Në periudhën pasluftës, ura mbi lumin Ibër, ishte simbol i trazirave dhe barrikadave të ngritura nga serbët e Kosovës për t’i kundërshtuar përpjekjet e Kosovës për të vendosur autoritetin në veri.

Ura, aktualisht, është e hapur vetëm për këmbësorë, edhe pse në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është rënë dakord që të hapet edhe për qarkullimin e automjeteve.

Pjesëtarët e komunitetit serb protestuan javën e kaluar kundër rihapjes së urës mbi Ibër./REL

Exit mobile version