Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ndodhen në Kosovë, për të vizituar babain e tij të sëmurë.
Mësohet se Thaçi, i cili ndodhet prej 2020 në paraburgimin e Hagës, ka marrë leje në Gjykatën Speciale për të vizituar të atin në spital.
Ai është parë në Qendrën Klinike Universitare e Kosovës me forca të shumta policore.
Thaçi, i cili është duke u gjykuar nga kjo gjykatë në një rast të ndarë kundër ish-krerëve të UÇK-së për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuzohet se bashkërendoi “tri grupe të veçanta” së bashku me Smakajn, Kilajn, Kuçin dhe Fazliun për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të prokurorisë në rastin kundër tij dhe të tjerëve për krime lufte.
“Së paku midis 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave jo të privilegjuara në objektin e paraburgimit, z. Thaçi u dha zotit Smakaj, zotit Kilaj, zotit Fazliu dhe zotit Kuçi informacion konfidencial në lidhje me dëshmitarë të ZPS-së, udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së dhe hollësi se si duhej ta bënin këtë”, thuhet në aktakuzë.
Në aktakuzën e re, Thaçi ngarkohet me tri akuza për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi; katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.