Kryetari i PD, Lulzim Basha vlerësoi dje përfundimin e veprës së parë të projektit “Hidropower Devoll” në hidrocentralin e Banjës, investim i gjigantit Statkraft, investim i nisur në kohën e qeverisjes “Berisha”. Përmes një deklarate për mediat Basha janë investimet e nisura nga qeverisja e djathtë, ato që po vijojnë aktivitetin e tyre në vend ndërsa kontributi i qeverisjes Rama janë shndërrimi i vendit në destinacion plehrash dhe droge.
“Hidrocentrali i Devollit dhe TAP, dy investime të kontraktuara nga qeverisja e PD mbajnë gjallë investimet e huaja në vend, të cilat po bien nga viti në vit të qeverisjes Rama.
E vetmja gjë që do të kishte qenë e pamundur pa Edi Ramën është kthimi i Shqipërisë në hambar droge dhe lidhja e paktit me mafien e plehrave.
Sot është një ditë përgëzimi për kompaninë Statkraft, e cila ka përfunduar veprën e parë të projektit “Hidropower Devoll” në hidrocentralin e Banjës. Është një ditë përgëzimi për një kompani, e cila në vitin 2009, falë vizioni, planit dhe programit të qartë të qeverisë së Partisë Demokratike për energjetikën në vend, u kthye në investitorin më të madh të huaj në Shqipëri, në një sektor strategjik, siç është sektori i energjetikës” u shpreh Basha.
Ky vizion, tha ai, që përfshinte taksat e ulëta, kushtet e përshtatshme për investitorët e huaj, sigurinë për ta dhe shpalljen e energjisë si prioritet absolut, bëri të mundur që Statkraft dhe partnerët e tyre të vinin në Shqipëri dhe të merrnin përsipër një ndër projektet energjetike më të mëdha në Evropë.
Bashkë me përgëzimet dua të shpreh sot edhe mirënjohjen, edhe krenarinë tonë të ligjshme se kjo vepër do të përmirësojë situatën energjetike në vend dhe mbi të gjitha ka punësuar gjatë viteve të ndërtimit mijëra qytetarë shqiptarë. Po kështu, dua të shpreh kënaqësinë që pjesa e kontratës koncesionare e firmosur me qeverinë shqiptare të Partisë Demokratike për ndërtimin e një rrjeti rrugor si pjesë e koncesionit, sot është materializuar me një infrastrukturë tërësisht të përmirësuar për qytetarët, për banorët e zonës përreth hidrocentralit, kryesisht të Bashkisë së Gramshit” tha kreu i PD.
Basha theksoi se Devolli, bashkë me projektin tjetër të firmosur nga qeveria demokrate atë të TAP-it, kanë mbajtur gjallë investimet e huaja në vend edhe gjatë 3 viteve të qeverisjes Rama, të cilat kanë qenë vite shkretëtire sa i përket investimeve të huaja dhe zhvillimit të ekonomisë.
“Kjo konfirmohet nga të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë, të cilat tregojnë qartë se në 6-mujorin e parë të këtij viti investimet e huaja kanë rënë edhe me 10% më pak sesa 6-mujori i vitit të kaluar.
Sot, Edi Rama u mburr sikur të ishte noter province sepse i paska rregulluar kontratën investitorit.
Se sa investime ka bërë Edi Rama e dinë të gjithë. I thoni Edi Ramës të zbresë volumin e investimeve të “Hidropower Devoll”, të zbresë volumin e investimeve të TAP-it dhe të na tregojë sa është shifra e investimeve që ka sjellë në Shqipëri në këto 3 vite.
Është 10 herë herë më e vogël vit për vit se sa viti më i keq i investimeve në 8 vite paraardhëse. Dhe pse vjen kjo?!
Sepse ai është përkujdesur dhe ka mbështetur vetëm investimet e klientëve të tij që po zaptojnë gjithçka nga veriu në jug, nga bregu i detit në majat e maleve.
Investimet e tij të vetme janë fasadat, gjysma e parave të të cilave përfundojnë në xhepat e klientëve të tij. Dhe bumi i investimeve të tij është droga, është kthimi i Shqipërisë në një plantacion gjigant droge.
E vetmja gjë që do të kishte qenë e pamundur pa Edi Ramën është kthimi i Shqipërisë në një hambar droge dhe lidhja e paktit me mafien e plehrave” u shpreh Basha.
Superinvestimi i Statkraft në kohën e qeverisjes së PD
Shqipëria tashmë ka një tjetër vepër të madhe energjetike. Gjiganti norvegjez, Statkraft njoftoi se ka mbyllur me sukses provat e lidhjes së hidrocentralit të Banjës në rrjet. Njoftimi përbën zyrtarizimin e veprës së dytë të madhe në energjetikë të ndërtuar pas rënies së regjimit komunist. I pari ishte ai i Ashtës dhe të dyja janë kontraktuar në qeverinë e Partisë Demokratike. Hidrocentrali i Banjës ka një kapacitet të instaluar prej 65 Megawat. Ai do të prodhojë mesatarisht 250 milionë kilovat orë energji në vit. Burime nga Statkraft bënë të ditur se kompania ka shitur sakaq një sasi energjie për tregun e jashtëm, ndërkohë që prodhimi me kapacitet të plotë do të nisë pasi ajo të dorëzojë tek Operatori i Transmetimit kontratat për shitjen e energjisë në tregun e lirë.
Banja është vetëm hidrocentrali i parë në kaskadën e Devollit. Paralelisht kompania Statkraft është duke ndërtuar edhe hidrocentralin e Moglicës. Puna për këtë HEC ka nisur vitin e kaluar dhe ai pritet të përfundojë në vitin 2018. Moglica do të ketë një kapacitet të instaluar prej 185 Megawat. Të dy hidrocentralet do të prodhojnë rreth 700 milionë kilovat orë energji në vit. Kjo e rrit automatikisht prodhimin vendas të energjisë me 17 për qind.
Investimet
Fillimi i punimeve në hidrocentralin e Banjës u inaugurua më 13 qershor të vitit 2013. Statkraft u afrua në Shqipëri, pasi ish-qeveria e Partisë Demokratike e vendosi sektorin energjetik si një nga prioritetet absolute të ekonomisë dhe zhvillimit të vendit. Në atë kohë ish-Kryeministri Sali Berisha deklaroi se synimi i qeverisë ishte ta shndërronte Shqipërinë në një superfuqi energjetike në Ballkan.
Gjatë periudhës 2005-2013, u firmosën dhe filluan punimet në 423 vepra energjetike. Reformat dhe liberalizimi i sektorit sollën në vend emrat më të njohur të energjetikës në arenën ndërkombëtare, përfshirë Statkraft, EVN apo dhe shumë kompani të tjera, të cilat kanë investuar mbi 2 dollarë në Shqipëri.
Sipas të dhënave më të fundit deri tani ka përfunduar ndërtimi i 105 hidrocentraleve, të vogla dhe dy hidrocentraleve të mëdha, të cilat japin rreth 40 për qind të energjisë që konsumon vendi dhe kanë hapur dhjetëra mijëra vende pune direkt dhe indirekt. Të gjitha investimet në energjetikë, por jo vetëm janë kontraktuar gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike. Qeveria e majtë që erdhi në pushtet në qershor të 2013-ës ka ndjekur një politikë armiqësore ndaj prodhuesve privatë të energjisë, çka ka çuar thuajse në pezullimin e gjithë investimeve të reja në këtë sektor.