Organizata kriminale kërcënon kryeprokurorin

Kryeprokurori i Republikës, Adriatik Llalla është detyruar të largojë fëmijët dhe bashkëshorten shtatzënë nga Shqipëria në një vend aleat, pas kërcënimeve që ka marrë për shkak të hetimit të një dosjeje të fortë kriminale. Ngjarja daton së paku dy muaj më parë kur në telefonin e kryeprokurorit, Adriatik Llalla kanë mbërritur telefonata dhe mesazhe kërcënuese anonime. Burimet i pohojnë “Top Channel” se, kërcënimi ka qenë serioz dhe i drejtpërdrejtë në drejtim të zotit Llalla dhe familjarëve të tij më të afërt. Të njëjtat burime citojnë gjithashtu gjendjen e shqetësuar të kryeprokurorit, bashkëshortja e të cilit priste dhe pret edhe një fëmijë të tretë. Kryeprokurori ka njoftuar autoritetet qeveritare, Presidentin e Republikës, Shërbimin Informativ dhe më pas janë shtuar masat e sigurisë, qoftë në Prokurori, shtëpinë private, si dhe eskortat për familjarët, dy fëmijët e tij, të cilët janë në shkollë dhe bashkëshorten.
Por të njëjtat burime pohojnë se sërish në drejtim të kryeprokurorit kanë vijuar të vijnë sinjalizime, kryesisht në formë miqësore apo këshillash lidhur me zëra për një hakmarrje të mundshme fizike ndaj tij dhe familjes së tij. Natyra e kërcënimit nuk dihet, por flitet se i ka ardhur për shkak të një dosjeje hetimore ndaj një grupi të supozuar kriminal. “Top Channel” ka mësuar se për këtë janë vënë në lëvizje edhe shërbimet partnere dhe ambasadat e huaja në Tiranë, kryesisht ato të Bashkimit Europian, një prej të cilave i ka ofruar kryeprokurorit sistemimin e familjes së tij në këtë vend evropian në mënyrë përfundimtare. Thuhet se pas një reflektimi personal, kryeprokurori ka pranuar këtë zgjidhje. Zhvendosja e familjes së kryeprokurorit tashmë ka ndodhur, përpara fillimit të vitit të ri shkollor. Ata ruajnë identitetin e tyre, por janë në ruajtje të plotë 24 orëshe nga forcat policore të këtij vendi partner dhe banesa e tyre private është vetëm pak kilometra larg stacionit të policisë së vendit përkatës.
Kryeprokurori Llalla thuhet se i viziton rregullisht familjarët e tij nën masa të rrepta sigurie, pasi bashkëshortja e tij është në pritje të fëmijës së tretë, por pohojnë nivelin e shtuar të stresit të tij personal dhe familjar me përshtatjen e detyruar me jetën e re. Por “Top Channel” ka mësuar se sistemimi i familjes së kryeprokurorit nuk do të jetë një masë e përkohshme, por e përhershme, duke detyruar njeriun më të rëndësishëm të akuzës, të bëjë një jetë personale të vështirë, për shkak të kërcënimeve që ka marrë për shkak të detyrës. Prej janarit të këtij viti Prokuroria e Përgjithshme numëron me qindra procese të forta hetimore ndaj grupeve kriminale të supozuara dhe të akuzuara për vepra të rënda, që kanë ndodhur kohët e fundit. Kryeprokurori i Republikës deklaroi në fund të muajit janar se në vend operojnë banda të strukturuara kriminale me lidhje politike dhe premtoi luftë të hapur ndaj tyre. Kërcënimi ndaj tij, që provohet me faktin e spostimit të familjes së tij jashtë shtetit, është ndoshta ngjarja më e rëndë që i ka ndodhur një kryeprokurori që prej vrasjes së shoferit të punës të ish-kryeprokurorit Theodhori Sollaku në vitin 2003, si dhe bomba në shtëpinë e ish-kryeprokurorit Alush Dragoshi, në vitin 1996 ku u plagosën disa të afërm të tij.

Prokuroria konfirmon kërcënimin për Llallën

Prokuroria e Përgjithshme ka konfirmuar kërcënimin ndaj prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla në një rrugë të tërthortë. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp nga zëdhënësi i saj, Albi Serani, nuk përgënjeshtrohet lajmi i publikuar nga mediat në të cilin theksohej se kryeprokurori detyrohet të largojë familjen nga Shqipëria pas një kërcënimi.
“Prokurori i Përgjithshëm, ashtu edhe institucioni i Prokurorisë vijojnë normalisht aktivitetin në bazë të ligjit dhe nuk ka asnjë cënim në ecurinë e hetimeve që po zhvillohen në të gjithë strukturat e institucionit”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit të Prokurorisë së Përgjithshme.

Exit mobile version