Hetimi i Tahirit, Komisioni do zbërthejë të gjitha lidhjet deri tek Rama

Zbardhen emrat e deputetëve socialistë që do të jenë pjesë e Komisionit Hetimor për çështjen Tahiri. Komisioni në fjalë do të drejtohet nga Nënkryetari i Kuvendit, demokrati Edi Paloka. Ndërsa si pjesë përbërëse e tij, PS ka propozuar: Ermonela Felaj, Klotilda Ferhati, Pjerin Ndreu, Paulin Sterkaj, Xhemal Qefalia dhe Bashkim Fino. Nënkryetare e Komisionit do të jetë deputetja e PS-së, Felaj. Anëtarë nga PD janë Enkelejd Alibeaj, Myslim Murrizi, Flamur Noka, Edi Paloka, ndërsa nga LSI do të jetë Endrit Brahimllari.
Partia Socialiste do të ketë shumicën në Komision, por drejtimi i tij i takon opozitës. Partia Demokratike ka depozituar në Kuvend kërkesën për ngritjen e një Komisioni Hetimor për të kontrolluar ligjshmërinë e veprimeve administrative të organeve të pushtetit legjislativ apo ekzekutiv në çështjen për të cilën akuzohet ish-ministri i Brendshëm z.Saimir Tahiri.
“Verifikimi i ligjshmërisë dhe efekteve të vendimit administrativ të Kuvendit për pengimin e organit të Prokurorisë që të kërkonte në Gjykatë arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm z.Saimir Tahiri, si dhe nxjerrja e provave që përbëjnë sekret hetimor nga anëtarët e Këshillit; Veprimet dhe sjellja e Kryeministrit dhe anëtarëve të tjerë të Këshillit të Ministrave, si dhe e çdo zyrtari tjetër publik, në pengimin apo intimidimin e organit të Prokurorisë, që të veprojë në mënyrë të pavarur dhe paanshme në hetimin e çështjes penale ndaj ish-ministrit të Brendshëm z.Saimir Tahiri;

Arsyet e veprimeve dhe sjelljes së Kryeministrit dhe anëtarëve të tjerë të Këshillit të Ministrave në intimidimin e organit të Prokurorisë mbi këtë hetim penal dhe vlerësimi i rrethanave mbi dijeninë e tyre për veprimtarinë kriminale apo ligjshmërinë e veprimtarisë së tyre shtetërore në çështjen, për të cilën akuzohet ish-ministri i Brendshëm z.Saimir Tahiri, si dhe roli apo përgjegjësia e institucioneve shtetërore në parandalimin dhe ndëshkimin e fenomenit të kultivimit të kanabisit apo trafikimit të lëndëve narkotike;
Ndërhyrjet nga organet e pushtetit legjislativ apo ekzekutiv në hetimin e kësaj çështje, si dhe efektet që kanë sjellë këto ndërhyrje”, thuhet në kërkesën e demokratëve. Gjithashtu, komisioni do të hetojë edhe procedurat e ndjekura për ekstradimin në Itali të Nezar Seitit, për të cilin pritet të thërrasin për të dëshmuar ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj dhe drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Arben Çuko.

“Evidentimi i pengesave, që ka hasur organi i Prokurorisë në hetimin e këtij zyrtari të lartë, nga veprime apo mosveprime të paligjshme të organeve të tjera të administratës shtetërore; Ligjshmëria e ekstradimit të personit tjetër nën hetim për të njëjtën çështje dhe efektet që sjell ky ekstradim në ushtrimin e ndjekjes penale ndaj ish-ministrit të Brendshëm; Rreziqet që paraqiten për hetimin e pavarur, të shpejtë, efikas dhe të gjithanshëm të kësaj çështje dhe mjetet që duhet të përdoren për tëeliminuar në mënyrë kushtetuese dhe ligjore këto rreziqe; Vlerësimi mbi nevojat e organit të Prokurorisë për burime financiare dhe njerëzore, për hetimin e plotë, të pavarur dhe të paanshëm, të kësaj çështjeje, si dhe verifikimi nëse këto burime janë vënë në dispozicion”, do të kërkojnë të hetojnë demokratët.

Exit mobile version