“Hetuesi i pashpirt Iljaz Haxhiaj më torturonte, më fikte cigaret e ndezura në trup dhe…”- Dëshmia e trishtë e “ish-agjentit grek” që vuajti 17 vite në burg

Skënder Shaholli e la vajzën vetëm katërmuajshe, kur u fut në burg, për një akuzë që nuk e kishte dëgjuar ndonjëherë dhe e gjeti atë 17 vjeç, kur u lirua nga burgu. Duke qenë i ri dhe i fuqishëm, e zhvendosën disa herë, gjatë 17 viteve, nga një kamp pune në tjetrin, për ta shfrytëzuar në punët më të vështira, ku të burgosurve thuajse u dilte shpirti. Por shpëtim nuk kishin. Nëse nuk bënin planin, i prisnin hekurat. Në këtë shkrim i cili është pjesë e arkivës së familjes Doko, po publikojmë rrëfimin e ish-të dënuarit politik me origjinë nga rrethi i Korçës, që humbi fëmijërinë e së bijës dhe rininë e tij në burgje.

 

Zoti Skënder, a mund të na tregoni diçka për veten dhe për familjen tuaj?

Quhem Skënder Shaholli dhe unë kam lindur në vitin 1934. Familja ime nga fshatrat e Korçës, ka qenë një familje e mesme fshatare. Babanë e kisha në Amerikë, kam lindur dy muaj, pas ikjes së tij.

Si i kujtoni rrethanat dhe momentin e arrestimit tuaj?

Unë nënën e kam nga fshati Braçaj. Atje u arrestuan 15-16 burra, mes tyre kishte edhe disa nga fisi i nënës. Më 7 shtator të 1959-ës, arrestohem nga Sigurimi i Shtetit në Korçë. Kisha shkuar në qytetin e Korçës, sepse përgatisja një vajzë xhaxhai, ta martoja pas dy javësh. Unë atë kisha vëlla, atë kisha motër. Edhe ajo e kishte babanë në Amerikë. Kur zbrisja në Korçë, në një markatë, dolën tre veta, dy nuk i njihja, një e njihja, ishte operativi i zonës, Isa Abazi, quhej. Ata më morën dhe më futën në makinë, në “Gaz”, pa më thënë siç bëhej zakonisht; “në emër të popullit, je i arrestuar”, sepse si duket, kishte shumë njerëz.

Exit mobile version