Shqipëria po shndërrohet në vendin me normat më të lartë të punësimit për të moshuarit mbi moshën 65 vjeç të pensionit. Të dhënat zyrtare nga Instituti i Statistikave tregojnë se aktualisht 16.3% e të moshuarve mbi 65 vjeç në Shqipëri janë në punë. Kjo shifër e rendit Shqipërinë në një nga vendet me normën më të lartë të punësimit të të moshuarve në Europë dhe që nga vitit 2010, për të cilin “Instituti i Statistikave” disponon të dhënat ky tregues është rritur ndjeshëm.
“Scan Intel” ka analizuar normën e punësimit të të moshuarve në moshë pensioni në vendet e Europës, nga ku rezulton se Shqipëria renditet mes vendeve me normën më të lartë, pas Islandës dhe Estonisë. Mesatarja e Bashkimit Europian për këtë tregues është 6.4%, ndërkohë për Serbinë norma e të punësuarve mbi 65 vjeç është 9%. Rumania dhe Belgjika janë vendet që renditen në fund të grafikut me shkallën më të ulët.
Por përse kjo normë e lartë dhe mbi të gjitha në rritje? Mund të vijë si pasojë e mos plotësimit të nevojave të pensionistëve vetëm nga pensioni, por gjithashtu mund të përmendim edhe të vetëpunësuarit e kësaj grupmoshe në sektorin e bujqësisë. Një arsye tjetër mund të jetë edhe mungesa e fuqisë punëtore në sektorë të veçantë ku shumë persona vijojnë të punojnë edhe pasi dalin në pension.