Thomas Strakosha, Liridon Latifi dhe Eros Grezda, kombëtarja shqiptare shikon nga e ardhmja. Tre debutime në një natë të vetme kundër 4 herë kampionëve të botës. Tre emra që kanë nevojë për ndeshje të tilla të rëndësishme ku adrenalina është në maksimum. Mjaftojnë disa hapa në fushën e blertë për të fituar eksperiencë të vyer në mënyrë që gjatë betejave të ardhshme këmbët të ngulen fort në fushë për të mbatur mbi supe fanellën e rëndë të kombëtares shqiptare. Jo çdo gjë nga transferta e Palermos është për t’u hedhur poshtë dhe trajneri Gianni de Biasi, pavarësisht rëndësisë së sfidës dhe një sinjal të qartë, ai shtroi rrugën me gurët e parë të skuadrës që do të kërkojë të bëjë një tjetër mrekulli.
Debutim absolut për tre lojtarë që gjatë sezoneve të fundit po gjejnë përherë e më shumë hapësira në skuadrat respektive. Strakosha tashmë mund të konsiderohet një siguri për katërkëndëshin e kombëtares. 90 minuta të plota dhe disa pritje vendimtare, djali i vogël i familjes Strakosha dukej se në Palermo kishte veshur kostumin e heroit të të atit. Siguria dhe pjekuria e 22-vjeçarit janë të pazakonta për një lojtar të moshës së tij, madje te Lazio ai konsiderohet si zgjedhja e parë e sezonit të ardhshëm. Aktivizimi i tij dhe jo i Hoxhës që nga minuta e parë është një dëshirë e qartë e De Biasit për të lënë një trashëgimi të besueshme me apo pa të në stolin e kombëtares shqiptare në të ardhmen. Eros Grezga, pak më shumë se tre minuta në “Renzo Barbera”, por të mjaftueshme për të dalë në një përfundim. Një piston i vërtetë në të djathtën e sulmit. 21-vjeçari i lindur në Gjakovë është pasardhësi ideal i Odise Roshit sepse aventura në Kroaci me Lokomotivën po e ndihmon të rritet profesionalisht.
Sinjale të rëndësishme, shumë zemër dhe teknikë e lartë në ato pak pasime për lojtarin shqiptar që në 20 ndeshje me Lokomotivën ka sigluar tre rrjeta personale. Emri i tretë, por jo më pak i rëndësishëm, Liridon Latifi. Ndryshe nga dy emrat paraardhës, mesfushori i lindur në Kosovë nuk e ka pasur ende fatin për të testuar veten në një kampionat të huaj. Lojtari më i spikatur te Skënderbeu, por vetëm kaq ndoshta nuk mjafton për të bërë hapin e madh. Latifi konsumoi sekondat e tij në “Renzo Barbera”, ndoshta i surprizuar nga vendimi i De Biasit për ta hedhur në fushë, por tashmë ai është në kuptimin më të plotë një element i vlefshëm dhe që duhet marrë në konsideratë. Ndryshimi i brezave nisi 6 vjet më parë pikërisht me De Biasin dhe është pikërisht trajneri italian që synon t’i japë një impuls tjetër kombëtares shqiptare. Tre të rinjtë e talentuar që hodhi në fushën e Palermos janë vetëm hapi i parë i kombëtares së gjeneratës tjetër.