Miliarda lekë të shpenzuara për investime në rrjetin e shpërndarjes së energjisë nuk kanë dhënë asnjë efekt në përmirësimin e treguesve teknikë, duke ngritur pikëpyetje të mëdha mbi efiçencën e investime nga Operatori i Shpërndarjes. Sipas statistikave zyrtare të publikuara nga vetë OSHEE në dy vitet e fundit, kjo kompani ka investuar mbi 20 miliardë lekë ose rreth 150 milionë euro për të përmirësuar rrjetin e shpërndarjes. Por treguesi i humbjeve teknike nuk ka shënuar asnjë përmirësim, duke ju kushtuar qytetarëve mesatarisht 100 milionë euro humbje në vit. Teorikisht, miliardat që OSHEE ka investuar për rinovimin e rrjetit të shpërndarjes gjatë dy viteve të fundit, duhet të sillnin përmirësim të ndjeshëm të treguesit të humbjeve, veçanërisht atyre teknike, që lidhen drejtpërdrejtë me pajisjet e amortizuara të rrjetit. Por të dhënat zyrtare tregojnë se, kjo nuk ka ndodhur. Sipas Bilancit të Energjisë që publikoi Instituti i Statistikave, gjatë vitit të kaluar humbjet teknike të energjisë mbetën thuajse në të njëjtat nivele me ato të 2015-ës, duke shënuar një ulje të papërfillshme. Sipas INSTAT nga 1 miliard e 360 milionë kilovat orë që ishin në 2015-ën, në fund të vitit të kaluar treguesi i humbjeve teknike rezultoi 1 miliard e 346 milionë kilovat orë. Tre vitet e fundit, Enti Rregullator ka rritur ndjeshëm çmimin e energjisë për të gjithë kategoritë e konsumatorëve, si për familjet ashtu edhe për biznesin. Sipas Entit, por edhe qeverisë rritja e çmimeve është e domosdoshme për të financuar përmirësimin e rrjetit të amortizuar. Por edhe pse qytetarët po paguajnë një faturë të lartë për energjinë, paratë janë shpenzuar në tendera dhe investime, të cilat nuk kanë sjellë asnjë përmirësim teknik të rrjetit. Thuajse e gjithë ulja e humbjeve në rrjet ka ardhur nga pjesa joteknike, që ka të bëjë me vjedhjet, ndërsa rrjeti mbetet i amortizuar edhe pse thith miliarda nga paratë e qytetarëve. OSHEE ka qenë në qendër të akuzave të opozitës për abuzime financiare dhe shpërdorim të parave publike në tendera të panevojshëm dhe abuziv. Tashmë dyshimet për këto akuza janë edhe më të forta, sepse paratë e shpenzuara nuk kanë sjellë asnjë përfitim për qytetarët dhe ekonominë.