Një makinë është hedhur në erë me tritol mëngjesin e djeshëm rreth orës 03:45 në lagjen nr.2 në Pogradec. Bëhet e ditur se makinës i është vendosur rreth 1 kg tritol, duke e shkatërruar plotësisht. Sipas burimeve të policisë, i është vënë një sasi eksplozivi automjetit veturë tip “Citroen” me targa PG 6433 B, në pronësi të 32-vjeçarit Pirro Niko, banues në këtë lagje. Makina përdorej edhe nga bashkëshortja Besmira Niko. Nga të dhënat e para rezulton se mjeti ka qenë i parkuar dhe dyshohet se është djegur si pasojë e shpërthimit të një sasie lënde plasëse (eksploziv). Si pasojë e shpërthimit janë thyer/dëmtuar edhe xhamat e disa pallateve në afërsi.
Policia bëri të ditur se, po heton vetëm në një pistë, atë për shkak të detyrës, pasi pronari i mjetit është inxhiner ndërtimi kurse bashkëshortja e tij është drejtoreshë e Urbanistikës në Bashkinë e Pogradecit.
Automjeti tip “Citroen” në pronësi të Pirro Niko nga Pogradeci shpërtheu në orët e para të mëngjesit. Mjeti me targa PG 6433 B rezulton se ka qenë i parkuar pranë shtëpisë së tyre në lagjen nr. 2 të qytetit dhe është shkrumbuar totalisht nga shpërthimi me eksploziv.
Pirro Niko punonte si inxhinier ndërtimi, kurse bashkëshortja e tij Besmira Niko është drejtoreshë e Zyrës Urbanistike në Bashkinë e Pogradecit. Pak orë pas ngjarjes banorët treguan se shpërthimi ishte i fuqishëm.
Ndonëse vetë pronarët nuk e kanë komentuar ende ngjarjen dhe as policia nuk ka dalë në ndonjë konkluzion për autorët e mundshëm, banorët e pallatit flasin për ta. Ata shprehen se, Piron dhe Besmirën i njohin për persona të rregullt dhe familjarë.
Po ashtu banorët thonë se, janë ngritur të lemerisur nga gjumi, pas zhurmës së fortë që shkaktoi shpërthimi, që theu edhe xhamat e dritareve në pallat. “U ngritëm të tmerruar nga gjumi, dolëm jashtë dhe pamë automjetin e ndarë në disa pjesë dhe të përfshirë nga flakët”, thonë ata, ndërsa pas këtij rasti ndjehen të pasigurt dhe të rrezikuar.