Pas gjashtë muajsh është kthyer të veshë fanellën e Argjentinës. Në prag të miqësoreve me Italinë dhe Spanjën, Gonzalo Higuain po përgatitet të shfrytëzojë në mënyrën më të mundshme këtë shans që i është dhënë, edhe pse ndeshjet e ardhshme mund të jenë vendimtare për të siguruar një vend në Botërorin e ardhshëm. Lojtari, para zhvillimit të një seance stërvitore, ka dhënë një intervistë për “Tyc Sport”, në të cilën ka bërë një zbulim të madh: “Në të kaluarën kam menduar të tërhiqem nga futbolli për shkak të problemeve shëndetësore që kishte mamaja ime më 2016-ën, ka deklaruar Higuain, por e kam kaluar atë moment të keq, ashtu si ajo. E dija se do ta bëja të lumtur duke luajtur”. Grumbullimi i Sampaoli-t ka qenë padyshim një lajm i bukur për sulmuesin bardhezi: “Jam i lumtur që jam kthyer pas gjashtë muajsh, më mungonte shumë dhe tani shpresoj ta shfrytëzoj rastin. Punoj për t’u përmirësuar dhe shpresoj që të luaj akoma edhe për shumë vite duke parë se tani jam mirë fizikisht dhe në aspektin psikologjik”.