Historia e drogës që turpëroi Sharapovën

Droga e pazakontë, e zbuluar në organizimin e tenistes së njohur ruse, Maria Sharapova, gjatë një testimi anti-doping, dikur është promovuar nga prodhuesi letonez i saj si element i përdorshëm farmaceutik nga lojtarët rusë dhe letonezë të hokejit.
Kirovs Lipmans, pronar dhe kryetar i fabrikës letoneze të ilaçeve, Grindeks, i ka thënë portalit letonz Delfi.lv në vitin 2011 se meldoniumi, një substancë e ndaluar, por që Sharapova ka pranuar se e ka marrë, “ka qenë shumë i famshëm në mesin e atletëve”.
“E di se ekipi kombëtar i Rusisë në hokej as që vjen në kampe të trajnimit pa meldonium, e mos të flas për ekipin kombëtar të Letonisë”, ka thënë Lipmans, i cili ka shërbyer si president i Federatës letoneze të Hokejit në Akull, qysh në vitin 1998.
Në intervistën dhënë në prill të vitit 2011, ai po ashtu ka thënë se “atletët janë duke folur për mundësinë e përdorimit të meldoniumit në të gjitha llojet e sporteve” dhe se një testim i bërë në Gjermani ka përcaktuar se ai “padyshim” nuk është një substancë që rrit performancën.
“Mendoj se në vitet e ardhshme, do të bëhet një drogë shumë e popullarizuar në mesin e atletëve”, ka thënë Lipmans.
Këto komente duken profetike, pasi disa atletë, përfshirë së paku katër nga Rusia dhe dy nga Ukraina, kanë dalë pozitivë ndaj meldoniumit, i cili është ndaluar nga Agjencia Botërore Anti-Doping, më 1 janar.
Asnjëri prej tyre nuk ka tërhequr vëmendjen ashtu si Sharapova, e cila, më 7 mars, ka bërë të ditur se ka rënë në testin e drogës. Njoftimi ka bërë që tre sponsorë të saj të mëdhenj: gjiganti i veshjeve sportive Nike, kompania zvicerane e orëve Tag Heuer dhe kompania gjermane e makinave Porsche, të ndërpresin marrëdhëniet me tenisten numër 7 në botë.
Sharapova, e cila mund të ndalohet të luajë tenis për katër vjet, ka thënë se mjeku i saj i ka përshkruar meldonium për më shumë se dhjetë vjet, sepse ajo “është sëmurë shumë shpesh”, ka pasur “mungesë të magneziumit” si dhe histori familjare me diabet.
Kompania farmaceutike Grindeks thotë se, meldoniumi është bërë për të trajtuar njerëzit me sëmundje kronike të zemrës dhe qarkullimit të gjakut dhe njerëzit që vuajnë nga kapacitete të reduktuara të punës dhe nga mbingarkesa fizike dhe psiko-emocionale.
Droga, e cila nuk është miratuar nga Administrata e Ushqimit dhe e Barnave në Shtetet e Bashkuara, është zhvilluar fillimisht në ish-Bashkimin Sovjetik për të ndihmuar ushtarët gjatë pushtimit sovjetik të Afganistanit, ka shkruar një gazetë letoneze në vitin 2009.
Kompania farmaceutrike Grindeks i ka thënë agjencisë “Associated Press” këtë javë se meldoniumi mund të ofrojë “përmirësim të kapacitetetit të punës së njerëzve të shëndoshë, me mbingarkesa fizike dhe mendore, si dhe gjatë periudhës së rehabilitimit”. Por, kompania ka thënë se beson se substanca nuk rrit dhe nuk pengon performancën sportive.
“Do të ishte e arsyeshme të rekomandohet si mbrojtës i qelizave, për të shmangur dështimin e zemrës ose dëmtimet e muskujve në rast të mbingarkesës së padëshiruar”, ka cituar “AP” kompaninë farmaceutike Grindeks.

Exit mobile version