Deputetja Hafizi: Ndjehem e rrezikuar nga dhuna e Ramës

Incidenti me Ben Blushin në Elbasan e ka frikësuar deputeten Mimoza Hafizi, aq sa thotë se do ta mendojë pjesëmarrjen e saj në aktivitetet publike të Partisë Socialiste, nëse kryetari Rama nuk kërkon ndjesë për skenat e dhunës ndaj deputetit Blushi. Deputetja Hafizi, e radhitur si një mbështetëse e fortë e Ben Blushit, veçanërisht në kauzën e tij për t’u mbajtur zgjedhje për kryetarin në PS, ka qenë mjaft kritike në fjalën që ka mbajtur këtë të mërkurë në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste. “Unë miqtë e mi, pas incidentit të Elbasanit dhe skenave të ditës së hënë në Tiranë, ju them sinqerisht se ndjehem e rrezikuar, për veten apo kolegët e mi që po ndjekin këtë kauzë. Dhe kjo më trishton pa masë. Këtë nuk ia fal mikut tim, kryetarit të Partisë Socialiste. Pas mbi një dekade që bashkëpunojmë, pas viteve të tëra që e kam ndjekur me shpresë se do të sjellim bashkë në këtë vend më shumë begati, siguri e liri, nuk ia fal që erdhi dita të kem frikë se unë apo njëri nga kolegët e mi do të cenohet fizikisht për arsyen e thjeshtë se nuk jemi dakord me të. Unë prita prej tij ndjesë për skenat e dhunës së ditëve të fundit. Do të vazhdoj të pres. Përndryshe, unë e kam të pamundur të jem pjesë e aktiviteteve të tij publike”, është shprehur Hafizi. Deputetja ka vënë më tej në dukje se statuti i partisë është shkelur prej vitesh dhe se kolegët e saj si Arta Dade, Ben Blushi e “kritikë” të tjerë të Ramës, i kanë shprehur këto shqetësime edhe më parë. “Më vjen keq që kryetari sot e mohoi këtë fakt në fjalën e tij”, tha Hafizi.

Exit mobile version