Nga Sadik Bejko
Marr shkas nga një shënim i Kastriot Dervishit (partizanët i rrëmbejnë “tradhtarit Jakup Shalësi” bagëti e gjedhe në fshatin Arrëz, Berat) .
Kush ishte Jakup Shalësi ?
Kushëri i parë i gjyshit tim, (hallën e tij e kishte nënë).
Tregtar e pronar tokash, banesash në Berat e gjetkë. Komandant i Ballit për Beratin. Mik me Mestan Ujanikun (martuar me të motrën). M. Ujaniku ishte komandanti partizan më i shquar i zonës Skrapar-Berat.
Jakupin e pushkatoi gjyqi special më 1945. Ujaniku ndërhyri po nuk e mbrojti dot mikun.
Gruaja e Jakupit, djali, bijat (kalamaj nën10 vjeç) u hodhën në rrugë. Të shpronësuar. I strehuan ata që rrojnë në baraka e çadra te ana lumit Osum.
Mestan Ujaniku u pushkatua me grupin e deputetëve 1948.
Më 1998, 50 vjet më pas, këtu në Tiranë, një bijë e Jakupit, Flutura dhe i shoqi ish i burgosur politik, ishin hedhur në rrugë: Kurt Kola ua jepte të njëjtën banesë dy të persekutuarve. Më të fortët e llojit Fluturën e Jakupit e kishin hedhur jashtë.
Ishte nata e Vitit të Ri 1998. Dimër. Më thanë: dy pleq me jorgan në kokë… po e gëdhijnë jashtë në korridorin e pallatit pranë banesës sime. Nuk i njihja. E biseduam në shtëpi. Me gruan mbushëm një tas të madh me supë të ngrohtë e me copa mishi. Fruta…
Kur shkuam atje, gruaja e moshuar bëriti: faleminderit, Sadik, yti po yti. Gjaku nuk bëhet ujë.
Gruas time desh i ra tasi e të tjerat nga duart.
Pse nuk më the që i paske të tutë?
Kisha mbetur si dru. Kush ishte kjo që më fliste në emër?
Flutura e Jakup Shalësit e zgjidhi gjëagjëzën.
Ti nuk më njeh, nuk më ke parë kurrë, po unë të njoh… je djali i … kushëririt tim. Jam vajza e Jakup Shalësit.
Prapë më 1998 në rrugë fëmijët e armikut, e të pushkatuarit Jakup Shalësi? Prapë të flakur dhe në pleqëri?
U helmova.
Fataliteti… fati i keq nuk kthehet aq lehtësisht nga e mbara. Do breza të shpëlahet ngjyra e zezë e fatkeqësisë, rënë mbi një familje.
….Pata mundësi me shkrime në shtyp e me miq avokatë ta ndihmoj me strehim Fluturën, kushërirën time të largët, të panjohur.
Edhe sot nuk e di se sa armik e tradhtar ka qenë ky Jakup Shalësi? Ai nuk ka varr, po damkën tradhtar e ka ende mbi shpinë.
P. S: postimi te fb i K. Dervishit
“Në datën 4.9.1944 në mbrëmje, dy skuadrat e kompanisë së 2-të të Batalionit të 1-rë u futën në katundin Arrëz ku zunë bagëtinë e tradhtarit Jakup Shalësi. Këto qenë 80 kokë dhen, 7 lopë, 1 ka, 2 pela”.
….