Qeveria pezullon rivlerësimin e pronave

Nga Klodian Tomorri

Ministri i Financave Petrit Malaj ka pezulluar në qeveri miratimin e ligjit për rivlerësimin e pronave. Edhe pse drafti për të ulur tatim fitimin kapital në rastin e shitblerjes së pronave kishte marrë publikisht aprovimin e kryeministrit Edi Rama, kreu i financave e ka bllokuar atë me justifikimin se projektligji mori shumë kohë dhe tashmë duhet të lidhet me çmimet e referencave në të gjithë Shqipërinë.

Kapitali ka mësuar se falë instistimit të Malajt, qeveria ka vendosur që miratimi i ligjit të shtyhet për në janar të vitit të ardhshëm. Por në fakt edhe ky afat duket i paarritshëm, pasi në janar hyjnë në fuqi kufizimet e Kodit Zgjedhor, çka me shumë gjasa e shtyn miratimin e mundshëm të ligjit pas zgjedhjeve të vitit 2025 duke e futur atë në kalendat greke.

Propozimi
Drafti për të ulur tatimin mbi fitimet kapitale përmes rivlerësimit të pronave u propozua nga deputetja socialiste Blerina Gjylameti në maj të këtij viti. Drafti i Gjylametit propozonte që biznesit dhe qytetarëve t’u jepej një tjetër mundësi të rivlerësonin pronat e tyre kundrejt një tatimi prej 3 për qind nga 15 për qind që është norma statutore e taksës.

gjylameti

Për disa muaj të tërë maxhoranca dhe qeveria heshtën duke mos e bërë publik qëndrimin e tyre në lidhje me këtë propozim. Vetëm në mesin e Korrikut kryeministri Edi Rama a aprovoi nismën publikisht, por duke saktësuar se taksa e rivlerësimit do të jetë 5 për qind, jo 3 për qind sa kishte propozuar Blerina Gjylameti. “Do të konkludojmë besoj brenda 45 ditëve të ardhshme këtë. Do të ndërtojmë një proces që rivlerësimi të jetë i hapur 1 vit, fund shtatori me fund shtatori dhe ndërkohë duhet të jetë e qartë dhe diçka tjetër, rivlerësimi i parë është bërë me 1%, i dyti me 3% i treti dhe i fundit me 5%,” deklaroi Rama në 17 korrik.

Por fundi i shtatorit kaloi dhe drafti nuk u miratua. Deri në mbledhjen e fundit të pak ditëve më parë, kur qeveria e pezulloi atë përfundimisht me idenë për ta shtyrë në vitin tjetër.

Rritje referencash në të gjithë Shqipërinë
Arsyeja se pse ministria e Financave e bllokoi miratimin e ligjit për rivlerësimin e pronave lidhet me një plan që qeveria ka për të rritur çmimet e referencave në të gjithë Shqipërinë dhe veçanërisht në zonat bregdetare të vendit.

Sipas ministrisë së Financave, nëse drafti do të miratohej dhe taksa e zbutur do të hynte në fuqi tani, ata që zotërojnë prona në bregdet apo pjesë të tjera të vendit nuk do të kishin mundësi të rivlerësonin çmimet e rritura të referencës. Ndaj sipas ministrit të Financave, taksa e rivlerësimit do të miratohet pas rritjes së çmimeve të referencës në të gjithë territorin e vendit.

Ministria e Financave po punon për hartën e re të çmimeve të referfencës, e cila do të sjellë rritje të ndjeshme të referencave në të gjithë territorin, por veçanërisht në zonat bregdetare. Kjo do të thotë se familjet shqiptare duhet të përgatiten që të paguajnë më shumë taksa për pronat e tyre, pasi po vjen dallga e re e rritjes së referencave, të cilat shërbejnë se baza për llogaritjen e taksës së pronës që paguajnë familjet dhe bizneset.

Manovër e qëllimshme?!
Tatimi mbi fitimin kapital në shitjen e pronës funksionon sipas një formule të thjeshtë. Nëse një familje ka blerë një pronë para disa vitesh me çmimin 100 mijë euro dhe aktualisht e shet 150 mijë euro, atëherë 50 mijë eurot diferencë konsiderohen si fitim kapital dhe taksohen me 15 për qind.

Rivlerësimi i jep mundësi qytetarit që pronën e blerë 100 mijë euro ta rivlerësojë me çmim 150 mijë euro dhe për diferencën prej 50 mijë eurosh të paguajë vetëm 5 për qind taksim. më pas ai mund ta shesë këtë pronë me cmimin 150 mijë euro dhe nuk paguan më asgjë si tatim.

Për shkak se maxhoranca e lajmëroi publikisht nismën për të ulur tatimin, që prej majit të këtij viti tregu i pasurive të paluajtshme është totalisht në ngërç. Qytetarët dhe bizneset kanë bllokuar totalisht shitjet e pronave të tyre duke pritur që më parë të hyjë në fuqi ligji i rivlerësimit, për të mos paguar 15 për qind tatim, por për të paguar 5 për qind.

Por ka një segment i cili favorizohet nga e gjitha kjo. Ata janë ndërtuesit, të cilët e shesin pronën për herë të parë. Në shitjen e parë, nga ndërtuesi tek qytetari, nuk aplikohet tatim mbi fitimin kapital, pasi nuk ka çmim blerje. Vetëm në rastin e shitjes së dytë, taksa fillon dhe kafshon diferencën mes çmimit të shitjes dhe atij të blerjes.

E gjitha kjo katrahurë e qeverisë me lajmërimin, pastaj zvarritjen dhe në fund pezullimin e draftit të rivlerësimit ka çuar ujë vetëm në mullirin e ndërtuesve, pasi aktualisht vetëm ata janë duke shitur prona në treg, tanimë të pashqetësuar nga konkurrenca e qytetarëve.

A ishte e gjitha kjo e rastësishme? Ndoshta. Por zakonisht qeveritë nuk bëjnë asgjë të rastësishme. Mbase e gjitha ishte një manovër për të shitur pronat e mbetura stok të ndërtuesve. Ose qeveria dhe maxhoranca nuk janë të përgjegjshme për pasojat e rënda të veprimeve të tyre, siç ishte kjo prapësira me referencat./Kapitali.al

Exit mobile version