Humbjet kolosale të Shqipërisë nga largimi i të rinjve të kualifikuar në emigracion

Shqipëria i kualifikon për të punuar në një vend tjetër. Tregu i punës në Shqipëri është i detyruar t’i zëvendësojë me të tjerë, sigurisht pa kualifikimin e tyre. Çdo shqiptar i aftë që largohet në moshë aktive për punë për një vend tjetër i kushton Shqipërisë.

Një studim për emigracionin e të rinjve në vendet e Ballkanit Perëndimor i kryer nga “Ëestminster Foundation for Democracy” tregon se çdo largim është një kosto e humbur për ekonominë e vendit tonë, si në aspektin arsimor ashtu edhe në atë të punësimit.

Studimi mbi (kostot e emigrimit te të rinjve në vendet e Ballkanit Perëndimor) nga “The Ëestminster Foundation for Democracy” tregon se, ekonomia e vendit tonë përballet me humbje vjetore rreth 800 milionë euro si rrjedhojë e nivelit të lartë të emigracionit, sidomos të moshave të reja.

Arsimi i një shqiptari, në varësi të nivelit arsimor, kushton 6 mijë euro për shkollën fillore, 9 mijë e 300 euro për shkollën e mesme, 18 mijë euro për studimet akademike dhe 32 mijë euro për studimet e doktoratës.

Nëse supozojmë se PBB-ja është midis 18-19 miliardë euro, një përllogaritje e thjeshtë nga kjo shifër në këtë studim, ekspertët thonë se rreth 5-6% e PBB-së është humbje.

Humbjet krijohen në dy drejtime. Së pari, studimi llogarit si humbje investimet në arsimin e personave që emigrojnë, të cilët shkollohen me shpenzime buxhetore vendase dhe më pas kontribuojnë në vendet pritëse.

Studimi mori në konsideratë fluksin vjetor dalës prej 41,700 personash, nga të cilët 37,540 ishin në moshe pune.

Duke supozuar se të gjithë e arritën qëllimin e tyre, punësimin në vendin pritës, studimi gjeti një kosto të mundshme prej 456 milionë eurosh humbje në vlerën e shtuar bruto.

Duke shtuar efektet indirekte për shkak të pamundësisë për të parandaluar emigracionin përmes punësimit, humbja vjetore e vlerës së shtuar bruto në Shqipëri përllogaritet 559 milionë euro në një vit, referon studimi. Kjo do të thotë se çdo person i aftë për punë që largohet nga Shqipëria merr me vete rreth 14,900 euro nga një GDP potenciale vjetore e ardhshme.

Kostoja mesatare e përfunduar studimet pasuniversitare (PhD) në Shqipëri ishin rreth 32,000 euro, ndërsa vitet e fundit ka shumë nga ata që po largohen dhe që zotërojnë një doktoraturë. Kostot totale të arsimit të personave që largohen nga Shqipëria brenda një viti variojnë nga 201 milionë euro në 504 milionë euro. Sipas studimit Shqipëria në total humb mesatarisht në një vit 800 milionë deri në 1 miliardë euro nga emigracioni. Në krahun tjetër përfitimi i drejtpërdrejtë më i rëndësishëm i flukseve migratore janë remitancat.

Nga ana tjetër, vendi ynë është një nga vendet kryesore në Evropë, me një peshë prej shtatë për qind në PBB të prurjeve nga emigrantët. Nëse shtohen burime të tjera që vijnë nga jashtë (transfertat sociale dhe të ardhurat nga puna e banorëve shqiptarë jashtë vendit), kontributi në PBB arrin në 10 për qind.

Exit mobile version