Pesë vite pas tërmetit pallati Nr.8 në Kombinat në “amulli institucionale”

Nga Erisa Kryeziu

Shiu i paradites së të martës depërtoi sërish brenda pallatit Nr.8 në rrugën “Llambi Bonata” në Kombinat, dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019. Prej pesë vitesh ky pallat nuk frymon, në pritje të një vendimmarrjeje se çfarë do të bëhet me të.

Ishte gushti i vitit 2019 kur Isida Rrapi përfundoi procedurat për marrjen e një kredie për blerjen e një apartamenti në katin e pestë të pallatit Nr.8. Por gëzimi për të pasur një shtëpi për familjen e saj të vogël nuk zgjati shumë.

Më 26 nëntor 2019 tërmeti, që preku edhe Kombinatin, la gjurmë në pallatin e Isidës. Bashkia Tiranë shpalli gjendjen e emergjencës dhe nisi vlerësimin e dëmeve.

“Pallati ynë u klasifikua fillimisht si DS4, me nevojën për një vlerësim të dytë për të përcaktuar nëse do të rikonstruktohej apo shembej,” rrëfen Isida për Citizens.

Sipas akt-konstatimit të dhjetorit 2019, pallati 5-katësh kishte dëme në rifiniturë, si suva apo dritare, por jo në strukturë.

“Nuk ka dëme në strukturë, të gjitha nyjet janë në rregull. Duhet të merren masa për riparimin e rifiniturës,” thuhej në dokumentin e Institutit të Ndërtimit.

Megjithatë, edhe pas pesë vitesh nga tërmeti, ende nuk është marrë vendim përfundimtar për pallatin. Ndërkohë, banorët janë zhvendosur në banesa me qira, me vetëm 18,000 lekë në muaj përkrahje nga bashkia.

“Ka 15 familje që përfitojnë bonusin e qirasë, por tregu i qirave ka çmime të larta dhe pronarët i rrisin çmimet për shkak të mungesës së banesave në zonë,” shpjegon Isida, e cila aktualisht jeton në një pallat tjetër në të njëjtën lagje.

Institucionet shtetërore u kujtuan së fundmi për pallatin “Nr.8,” por jo për të vendosur fatin e tij, por vetëm për të vendosur një shirit sigurie për të ndaluar qarkullimin.

“Deri në zbatimin e projektit për ndërtim të ri, duhet të bëhet rrethimi me shirit, në mënyrë që objekti ekzistues të mos frekuentohet nga banorët ose kalimtarët e rastit, duke marrë parasysh rrezikun e rënies së materialeve nga lart,” thuhet në një kërkesë të Drejtorisë së Mbrojtjes Civile drejtuar Policisë Bashkiake.

Isida dhe banorët e tjerë kanë kërkuar përgjigje nga institucionet vendore, por kanë hasur në burokraci dhe mungesë transparence.

“I jemi drejtuar Njësisë Administrative Nr. 6, ata na kanë dërguar te Gjendja e Emergjencave, e cila thotë se nuk mund të marrë vendim pa miratimin e Këshillit Bashkiak. Në fund, institucionet ia hedhin përgjegjësinë njëra-tjetrës dhe ne mbetemi në pritje,” shprehet ajo.

Citizens.al/Pamje satelitore nga Google që tregojnë ndryshimet gjatë 5 viteve të fundit në Kombinat.

Në këtë pasiguri dhe amulli informacioni, Isida dhe familja e saj, tashmë e zgjeruar në katër anëtarë, janë të paqartë për të ardhmen e shtëpisë së tyre.

“Premtime janë dhënë në fushata elektorale, por deri tani asgjë nuk ka ndryshuar. Disa banorë janë të pakënaqur, sepse u është shembur shtëpia dhe janë zhvendosur në zona më të largëta dhe me hapësira më të vogla,” thekson ajo.

Rama: Vonesat për shkak të gjykatave dhe faktorëve politikë

Të hënën, kryeministri Edi Rama inspektoi punimet në bllokun e ri të banesave në atë që katër vite më parë qe prezantuar si “KombinArt”-i.

Sipas kryetares së komanduar të Bashkisë së Tiranës, – pas arrestimit të Erion Veliajt, – Anuela Ristani, deri tani janë përfunduar rreth 700 apartamente, nga të cilat 141 janë shpërndarë, ndërsa 500 të tjera pritet të dorëzohen brenda marsit.

Ministri Blendi Gonxhja fajësoi për vonesat “partiçkat e vogla”, një retorikë të cilën Kryeministri Rama e përforcoi.

“Mos u shqetëso, do ta marrësh shtëpinë,” iu drejtua ai një banori. “Vonesat kanë ardhur për shkak të proceseve të gjykatave dhe pengesave nga faktorë politikë.”

Nëse procedurat do të ishin ndjekur sipas planit, sipas kryeministrit, investimi do të kishte përfunduar prej kohësh.

Gjatë viteve 2020-2021, Bashkia e Tiranës vendosi shembjen e 67 pallateve në Kombinat. Por procedurat e shembjes u shoqëruan me parregullsi, duke rritur në mënyrë artificiale nivelin e dëmtimit të disa objekteve.

Nga pallatet e planifikuara për shembje, vetëm 35 u prishën, ndërsa të tjerat u përfshinë në procese gjyqësore të nisura nga banorët. Deri tani, Qendra “Res Publica”, e cila ka përfaqësuar banorët, ka fituar 19 çështje në Gjykatën Administrative kundër Bashkisë së Tiranës.

Ndër çështjet e fituara, përfshihen pallatet 12-13 në rrugën “Bernardin Palaj”, godinat 1 dhe 21, pallatet 141 dhe 153 (të shembura), pallati 97 në rrugën “Llazi Miho” dhe dy pallate në rrugën “ish-Fabrika e Qelqit” e “Mihal Grameno.

Një vit më parë Bashkia Tiranë tha për Citizens se më shumë se gjysma e atyre që aplikuan për të përfituar nga procesi i rindërtimit janë skualifikuar.

“Nga 1446 aplikime, vetëm 670 prej tyre janë përfitues”, tha bashkia e cila përmendi si arsye zotërmin e një banese të dytë, mangësi dokumentacioni apo dëmtimit nga vjetërsia e ndërtesës dhe jo nga tërmeti./citizens.al

Historia e Isidës dhe qindra familjeve të tjera mbetet e pazgjidhur, ndërsa ata presin një vendim përfundimtar për të ardhmen e pronave të tyre.

Exit mobile version