Jahmir Hyka konfirmon formën e shkëlqyer dhe vazhdon të jetë vendimtar për Luzernën në Superligën zvicerane. Mesfushori shqiptar ishte një prej protagonistëve të fitores 3-0 përballë Thun. Në minutën e 53-të, Hyka dha asistin e golit të dytë të sfidës për Schneuwly, ndërsa u zëvendësua në minutën e 80-të dhe i la vendin De Oliveiras në fushë. Me suksesin e arritur, Luzerna ruan vendin e dytë në kampionatin zviceran, me 12 pikë në 5 javët e para, 3 pikë më pak se kryesuesit e Baselit.
Një tjetër shqiptar që mbetet protagonist është Endri Çekiçi. Mesfushori i përfaqësueses Shpresa shënoi golin e vetëm të Lokomotivës së Zagrebit në humbjen 2-1 në fushën e Inter Zapresic. Në ndeshjen e javës së gjashtë të kampionatit kroat, Eros Grezda qëndroi në stol, ndërsa Herdi Prenga mbetet i dëmtuar.
Në kampionatin kroat, golin e parë e gjen edhe 19-vjeçari Ardian Ismajli. Lojtari nga Kosova që militon me Hajdukun shënoi në disfatën 4-2 që skuadra nga Spliti pësoi në shtëpi përballë HNK Rijekas. Për Hajdukun mungoi mbrojtësi Memolla që nuk ishte as mes rezervave.
Sokol Cikalleshi ishte titullar në sfidën e Superligës turke, ku Basaksehir fitoi 1-0 përballë Fenerbahçe. Sulmuesi kuqezi qëndroi 60 minuta në fushë për ekipin e tij.
Në Turqi debutoi edhe Herolind Shala me ekipin e Kasimpasa, që u mposht 2-0 në fushën e Trabzonspor. Mesfushori u aktivizua si zëvendësues në minutën e 56-të. Ndërkohë, Vedat Muriqi debutoi me gol me Genclerbirligi, me sulmuesin nga Prizreni që shënoi në fitoren 2-0 përballë Gaziantepspor.