Hysaj: Do të mposhtim Romën edhe për Milik

Elseid Hysaj paralajmëron Romën. Mesditën e të shtunës në “San Paolo”, Napoli i Maurizzio Sarrit do të sfidojë skuadrën e Luciano Spalettit. Në vigjilje të kësaj sfide në një intervistë për radio “Kiss Kiss” mbrojtësi i kombëtares shqiptare u shfaq plot besim se të kaltërit do të arrijnë ta mposhtin Romën. “Do të jemi shumë të përqendruar dhe do të japim 100% të mundësive tona për të fituar”, deklaroi fillimisht Elseid Hysaj.
Më pas 22-vjeçari nga Shkodra shtoi: “Duhet të kthehemi ajo skuadër që ishim më parë, jemi të zhgënjyer për humbjen që pësuam në Bergamo”. Një mendim i kuqeziut shkoi edhe për polakun Arkadiuz Milik, i cili pak ditë më parë pësoi një dëmtim të rëndë që do ta mbajë jashtë fushave të futbollit për më shumë se 5 muaj. “Të gjithë në skuadër jemi mërzitur shumë për atë që i ndodhi Milik dhe ndaj Romës duam të fitojmë edhe për të”, theksoi në vijim djaloshi nga Shkodra.
Të mërkurën Napoli do të përballet me turqit e Beshiktash në Champions League, por sipas Hysajt ndeshjet duhen marrë një e nga një dhe për momentin të kaltërit mendojnë vetëm për sfidën ndaj Romës. Hysaj, i cili po luan sezonin e dytë me Napolin pak ditë më parë rinovoi zyrtarisht kontratën e tij me klubin jugor deri në vitin 2021. Mbrojtësi në fund të intervistës së tij theksoi se ndihet mirë te Napoli dhe dëshiron të qëndrojë gjatë aty.

Exit mobile version