Ligji për investime strategjike në Kosovë

????????????????????????????????????

Miratimi i Ligjit për Investime Strategjike nga Kuvendi i Kosovës do të lehtësojë procedurat dhe do të rrisë interesimin e investitorëve të huaj në Kosovë, thonë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës. Përfaqësues të shoqërisë civile e konsiderojnë të domosdoshëm, por tërheqin vërejtjen për rrezikun e rritjes së nivelit të korrupsionit gjatë zbatimit të ligjit. Qëllimi kryesor i këtij ligji është eliminimi i barrierave, procedurave burokratike – penguese të deritashme – procedurave të stërgjatura e deri te rritja e transparencës për realizimin e investimeve të huaja në Republikën e Kosovës. Ai i mundëson qeverisë që të negociojë drejtpërdrejtë me investitorët e huaj, por edhe ata vendorë. Njëkohësisht, thuhet se ofron kushte të barabarta në aspektin e tërheqjes së investitorëve të huaj, në krahasim më vendet fqinje dhe vendet e rajonit. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, e cilëson atë si një ligj të domosdoshëm për rritjen e nivelit të investimeve të huaja. Ai thotë se Ligji nuk është shkop magjik i zgjidhjes së problemeve të grumbulluara, por sipas tij, që ky ligj të zbatohet suksesshëm duhet të ketë angazhime për fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit.
“Kosova ka një problem të madh sa i përket investimeve të huaja, me imazhin negativ të krijuar nga kompanitë ndërkombëtare të cilat kanë hasur në procedura burokratike”. “Por, është obligim institucional që kushdo që flet me investitorë të huaj të ketë transparencë dhe një dialog të mirëfilltë që mos të përsëriten rastet dhe dështimet nga e kaluara”, ka thënë Gërxhaliu për Radion Evropa e Lirë. Ligjet e tilla në shtetet e rajonit kanë nxitur reagime, thuhet në një analizë që ka zhvilluar Instituti për Studime të Avancuara – GAP. Berat Thaqi, analist i politikave në këtë Institut, thotë për Radion Evropa e Lirë se ligji krijon shumë lehtësime dhe mund të nxis investime, pasi eliminon problemet. Megjithatë, sipas tij, ekziston rreziku, pasi që qeveria merr shumë kompetenca, duke mos iu nënshtruar asnjë kontrolli të jashtëm. Rrjedhimisht, vijon ai, rritet edhe mundësia për korrupsion, marrë parasysh praktikat nga vende tjera të rajonit. “Duke marrë parasysh se ligj sjell një diskrecion më të madh në Qeverinë e Kosovës për dhënien në shfrytëzim të pronave të paluajtshme që janë pronësi e Kosovës dhe duke marrë parasysh se Kosova ka sundim të dobët të ligjit, atëherë një ligj i tillë paraqet edhe rreziqe më të mëdha sa i përket aferave korruptive”, ka thënë Thaçi.

Exit mobile version