Gazetari i njohur italian, Alfredo Pedulla, mendon se problemet e mëdha që po kalon Elseid Hysaj në këto javë me Napolin, janë pasojë e mbingarkesës, pasi ka luajtur pa ndërprerje në dy vitet e fundit. “Hysaj duhet të pushojë, ka luajtur shumë në 10 muajt e fundit, në nivelin psikologjik po e paguan shtrenjtë dhe sipas meje një ndalesë do ta ndihmonte”, u shpreh Pedulla, i cili shihet si një ekspert i mirëfilltë i merkatos së klubeve italiane.
“Me shumë mundësi, në këto tre muaj të fundit të sezonit, do të shfaqet mundësia që t’i lejohet të marrë frymë”, tha Pedulla për mediat italiane. Hysaj do të jetë pushim që në këtë mesjavë edhe pse me detyrim. Ndërsa skuadra e tij do të luajë sonte kundër Juventusit në Kupën e Italisë, mbrojtësi do ta ndjekë ndeshjen nga tribuna, pasi është i pezulluar për shkak të kartonit të kuq të marrë ndaj Fiorentinës.