I dashur Edi Rama

Miranda HAXHIA

Po si nuk u pamë? Ne shihemi tre herë në ditë, në çdo edicion lajmesh, si nuk mbeti pakëz kohë edhe dje, shpirti im i pakuptuar?
I dashur, ti prite golin e vetëm të Kombëtares sonë, edhe unë prita nipin e vetëm të fisit tonë që kthehej nga misioni në Afganistan.
Nuk kisha përgatitur fjalim si ti, se ato “i qan” vetëm ti, po edhe sikur ta kisha përgatitur, u mallëngjeva aq shumë, sa nuk do ta lexoja dot, as në shqip, jo më në italisht, siç i qëndise ti me raste hovesh djaloshare, për t’u argëtuar. (Ma come parla bene Lei! – ma kujtoi Mimoza Koçiu Totò-në e famshëm!)
Vapë ishte, xhani im, si durove dje, më raftë një pikë, se unë s’kisha dert, më freskoi malli dhe lotët në sytë e nipçes që u kthye gjallë, pa asnjë “gol”- plumb- në ballë.
Eh sa hoqi nipçja im të shkonte në Afganistan! Pa i duheshin pare për shtëpi, për fëmijë, për bukë, për spital…. Por t’u bëftë dita 99 mijë që ia bëre mbarë ti dhe ajo Mimìja e Mrojtjes, se ja, mori një dorë të mirë paresh dhe e shtyn gjysmë viti.
Ah, shpirti im, të kuptoj sa ke vuajtur kur ke firmuar për shpërblimin e madh 1 milion euro për çunat e golit të vetëm si drita e syrit! Se vetëm ti e di sa halle ka ky vend! Po kur të shajnë! Qelbsat! I bëjnë qejfin Saliut dhe Lulit! Mos i luajte bixhoz ato miliona? Mos ia dhe dembelëve që i ka çuar dembëllëku në pavijonin e kancerozëve? Jo. Për djemtë e Kombëtares i sakrifikove! Ah, sa të kuptoj, o nositi im mendjeartë! Gjithë dynjaja bën qejf nëpër shtëpitë e tyre, hanë mish e bakllava, janë në hall- t’i shpien fëmijët me studime në Francë si ministrja e Arsimit shqiptar apo në Angli si ministri i Shëndetit tonë! Injorantët! Popull që, siç e thua ti, ose është dele, ose është dele! Nuk e kuptojnë që ministrat e tu i çojnë kalamajtë jashtë si zotërinj të vërtetë, na nderojnë atje ku shkojnë, jo si çup’ e Xhikes, që iku me burr e kalama në Gjermani e rri nëpër azile emigrantësh. Pa pikë turpi! Ja, prite kur të kthehen, me avionin e radhës. Dhe, jam e bindur, do të shajnë dashakeqët ty, se, sikur i nise ti, gjasme.
Po kalamajtë e qeverisë që shkollohen jashtë, janë ambasadorët e këtij vendi! Pse të lëndojnë aq shumë ndjenjat e tua atdhetare, nuk e kuptoj.
Zemra ime, do të ishim takuar dje, por na ngatërruan djemtë. Ata të tutë dhe nipçja im. E di, xhan, nipçja im dhe shokët e tij janë budallenj me brirë. Ç’patën që erdhën pikërisht dje! Si do mbaje ti edhe një fjalim tjetër… Në gjuhën afgane? Të kuptoj shumë mirë, ndaj të dua kaq shumë. Derisa vota të na ndajë, e jotja, Miranda!

Exit mobile version