Qëndresa opozitare popullore është jetike

Fatmir MEDIU

Largimi i Britanisë nga BE është një lajm shumë i keq.
Britania e Madhe ka vendosur të vërë në pikëpyetje një histori 70-vjeçare europiane. Nuk do të jetë e lehtë për ta kapërcyer këtë shok për shkak të këtij vendimi të papritur. Zyrtarët e Brukselit dhe liderët europianë duhet të dalin me një përgjigje sa më shpejt, gjë e cila duket e vështirë.
Europa duhet t`i përgjigjet problemeve të saj që duket se janë më të thella se sa i shohim ne prej këtej, me besimin dhe optimizmin tonë ëndërrimtar.
Problemet, të cilat nuk janë vetëm politike, do të kenë pasoja financiare dhe ekonomike, edhe pse në periferi padyshim dhe ekonomia shqiptare do të ketë pasojat e saj. Shumë vlera, raporte dhe standarde të Europës mund të injorohen dhe të lihen mënjanë.
Ndërtimi i balancave të reja do të kërkojë kohë dhe vende si Shqipëria me probleme të shumta mund të ketë pasoja afatgjata.
Kjo është një situatë e papëlqyeshme për Ballkanin dhe Shqipërinë, ku lodhja e zgjerimit u zëvendësua me bllokimin e përkohshëm dhe sot më tej ka shumë pikëpyetje në rrugën tonë europiane, sepse qëllimi imediat sot për Europën mbetet që ajo që ndodhi me Britaninë, të mos ndodhë me vende të tjera të Europës. Kjo situatë mund të sjellë në vëmendje aleanca të vjetra në Ballkan, të cilat janë bërë tunduese për interesa politike dhe ekonomike. Rusia do të vazhdojë luftën e saj për zgjerimin e influencës së saj në Ballkan, e cila detyron faktorin shqiptar që të shikojë përtej interesave të pushtetit të një lidershipi politik pa vizion dhe të korruptuar.
Kjo situatë mund të shfrytëzohet si një skuzim nga qeverisje të korruptuara si e jona, për të rritur kontrollin e tyre të paligjshëm mbi qeverisjen, jetën e njerëzve dhe forcimin e sistemeve oligarkike. Konfuzioni dhe pasiguria janë aleatë të shkëlqyer për qeveritë e korruptuara.
Ne duhet të bëhemi koshientë sot më shumë se dje, se rruga drejt BE është shumë e vështirë dhe pa një komponent të fortë ekonomik në vend ose si shqiptarë në rajon, ajo do të jetë e pavlerë dhe e pamundshme.
Kjo situatë shton padyshim më shumë probleme përballë nesh dhe kërkon një organizim të opozitës.
Organizimi i Partisë Republikane, përgatitja e saj për zgjedhjet është domosdoshmëri, por sot nevoja për të pasur një opozitë të bashkuar dhe mirorganizuar në strukturë dhe qëllime është jetike.
Ballafaqimi ynë politik sot nuk është thjesht dhe vetëm me kundërshtarin politik, por me një të keqe të madhe që po hedh rrënjë për të mos u shkulur. Kjo e keqe është një e keqe hibride me reminishenca të së kaluarës, ku pushteti i takon një klani apo çdo ortaku dhe pazarxhiu që mbështet atë.
– Ku nomenklatura komuniste zëvendësohet me oligarkinë e krimit, ku dija dhe patriotizmi zëvendësohen me injorancën dhe sharlatanizmin.
– Ku ligji është antiligji, ku qytetari është i pavlerë dhe të drejtat e tij legjitime kanë si pronare qeverinë.
– Ku flitet në emër të popullit për t`i punuar popullit njëqind të zeza, i cenohet siguria, jeta, sepse ajo zëvendësohet me bashkëpunimin me krimin e organizuar, duke e kthyer Shqipërinë në Kolumbinë e hashashit.
– Në Shqipërinë ku mohohet çdo e drejtë e lirisë, pronës, biznesit dhe zëvendësohet me grabitjen në emër të interesit publik, me shkatërrimin dhe uzurpimin e bizneseve, kërcënimin, gjobëvënien e shtetit me uniformë dhe kriminelëve me maska.
– Në Shqipërinë ku qeveria flet në emër të Perëndimit, por interesat lidhen çdo ditë në mënyrë korruptive me Lindjen. Kompani perëndimore largohen nga vendi, Dhoma amerikane dhe ajo gjermane e Tregtisë kanë deklaruar qartë se në Shqipëri mungojnë kushtet për biznes dhe taksat janë shumë të larta, më të lartat në rajon.
– Në Shqipërinë ku 1/3 e të ardhurave të buxhetit, rreth 1.7 miliardë dollarë shkojnë për abuzime dhe korrupsion, ku investimet publike zëvendësohen me shpenzime qeveritare luksi që nuk kanë asgjë të përbashkët me ekonominë tonë kombëtare dhe atë familjare.
Shoqëria shqiptare është sot në kushtet e një tiranie autoritare.
Kjo krizë ekonomike dhe qeverisëse, politike dhe sociale nuk po njeh akoma fundin e saj dhe ata që i vuajnë pasojat janë qytetarët shqiptarë.
Një pjesë e madhe e shqiptarëve largohet drejt një shprese të mundshme, drejt Europës, Gjermanisë dhe Amerikës dhe qeveria ndjehet e lumtur sepse pjesa më e mirë e shoqërisë aktive që nuk e pranon qeverinë po largohet dhe ndërsa një pjesë tjetër rri e pafuqishme në sorollatje për të pritur një zgjidhje.
Kjo situatë po rrezikon, në një kohë të shkurtër, interesat tona afatmesme dhe aftatgjatë, po projekton një varësi, të pakontrolluar kombëtare ndaj pushtetit, si dhe humbje të kontrollit dhe peshës sonë në aspektin gjeopolitik rajonal dhe ndërkombëtar, pasi politikat strukturore, monetare dhe ekonomike, marrëdhëniet social-politike të së majtës, janë me efekte shkatërruese, duke bartur një potencial përplasjeje sociale dhe si rrjedhojë kërcënojnë integritetin e shtetit dhe të kombit.
Në këto kushte lufta, organizimi, qëndresa opozitare popullore është jetike. Ne kemi detyrimin historik, sidomos të rinjtë, të shpjegojmë duke u bërë mesazherë të shpresës se ka një lidhje jetike të qartë, të dëshirës së qytetarëve për të ndërtuar shtet dhe nevojës për t`u mirëqeverisur, në mënyrë që të drejtat qytetare të jenë të garantuara dhe të mos konsiderohen apo shiten, si dhuratë e qeverisë, pasi ato janë të drejta të vetëshpjegueshme të dhëna nga Zoti, ku nëpërmjet tyre garantohet, jeta, liria dhe ndërtimi i lumturisë. Sot më shumë se kurrë, Partia Republikane, Partia Demokratike ka nevojë, opozita, të bashkëpunojë dhe të shtrojë për diskutim, reflektim, me intelektualët tanë, qytetarët tanë, të rinjtë, biznesin. Të përndjekurit dhe pronarët, gjithë këto probleme, për të mundësuar një revolucion të ri të politikës, bazuar në vlera morale, ndërgjegjësim personal dhe kolektiv, të çdo shqiptareje dhe shqiptari, sepse e keqja është në çdo prag të çdo dere qoftë ky me ose pa parti, i majtë apo i djathtë.
Shkurtimisht, ata nuk e njohin tjetrin. Ata vuajnë nga një lloj narcizizmi politik, i cili nuk e pranon legjitimitetin e interesave dhe opinioneve të të tjerëve. Ata nuk njohin kufizime. Ata duan fitore totale për veten e tyre dhe doktrinën e tyre. Kjo tendencë antipolitike ka patur një ndikim fatkeq në demokraci. Ajo ka çuar në një sërë spiralesh regresive. Përfaqësuesit e antipolitikës zgjedhin ligjvënës pa kurrfarë aftësish a përvoje politike. Kjo paaftësi na çon në qeverisje jofunksionale, e cila na çon në pakënaqësi të shtuar për qeverinë, e cila na çon në kërkesë të shtuar për të tjerë të “jashtëm” (që vijnë nga jashtë sistemit). Përfaqësuesit e antipolitikës nuk e pranojnë që politika është një aktivitet i kufizuar. Ata bëjnë premtime të pabesueshme dhe nxisin pritshmëri qesharake. E kur ato pritshmëri nuk përmbushen, votuesit bëhen cinikë, edhe më të pakënaqur dhe kthehen edhe më shumë kah antipolitika.
Përfaqësuesit e antipolitikës e refuzojnë kompromisin e për rrjedhojë bllokojnë procesin legjislativ. Mungesa e arritjeve e shkatërron besimin e publikut. Rënia e besimit e bën edhe më të vështirë marrëveshjen. Ndjesia e popullit është që nuk e dëgjon askush dhe kjo e bën atë që të bërtasë më fort dhe kjo e shkatërron përfundimisht bashkëbisedimin. Rama bën çdo përpjekje për ta paraqitur veten si një politikan i pazakontë dhe se ai përfaqëson një risi në politikën që jemi mësuar të shohim së bashku me grupin dhe mazhorancën dhe koalicionin e tij. Për hir të pushtetit ai bën koalicion me çdokënd dhe për interes të pushtetit dhe kontrollit absolut mohon çdo gjë dhe nuk pranon asnjë kompromis.
Ai e ka shoqëruar këtë me një makineri propagandistike mediatike që ushqehet me paratë e qeverisë që ia zhvat qytetarit. Reforma në Drejtësi është jetike. Partia Republikane deklaron se është në mbështetje të Reformës në Drejtësi. Ne e kemi votuar tashmë atë në çdo nen të saj dhe kemi pranuar dhe vepruar në bazë të dakordësisë politike dhe ndërkombëtare, se rekomandimet e Komisionit të Venecias janë baza e refomës. Reforma në Drejtësi duhet të sigurojë një pushtet gjyqësor të pavarur nga politika dhe të pakorruptueshëm. Të gjithë kemi rënë dakord se vijat e kuqe nuk i vendos Rama, por i vendos Komisioni i Venecias. Ky komision ka përcaktuar dhe vijat e bardha, duke treguar se cilat janë rrugët e zgjidhjes në rast të mosmarrëveshjeve politike.
Ka vetëm dhe vetëm një çështje që kërkon zgjidhje: moskapja politike e sistemit të drejtësisë nga mazhoranca socialiste.
– Opozita është legjitime në të drejtën e saj, t`i bëjë thirrje Partisë Socialiste të respektojë zgjidhjen e dhënë nga Komisioni i Venecias sipas pikës 88.
– Demagogjia politike se, opozita kërkon që të vendosë ndikim politik mbi sistemin, është e pabazë, për faktin se përzgjedhja nga të gjithë vendimmarrësit politikë, pozitë dhe opozitë, bëhet mbi kritere selektive që në thelb kanë të bëjnë me formimin profesional dhe integritetin e personave që do të zgjidhen, duke përjashtuar çdo person që njihet apo ka informacion për qasje politike.
– Votimi me 2/3 si mekanizëm bllokues e zhvlerëson Parlamentin, rrit konfliktin politik, i heq mbështetjen e nevojshme politike institucioneve të drejtësisë, duke i bërë vendimet e tyre të kontestueshme. Mbi të gjitha shmang thelbin kushtetues të Republikës sonë parlamentare, duke i hequr autoritetin Parlamentit dhe duke e deleguar në institucione që jo vetëm nuk janë përfaqësuese, por dhe shumë të manipulueshme dhe të kontrolluar nga mazhoranca.
– Opozita nuk do i ndalë përpjekjet e saj për të dialoguar dhe gjetur zgjidhjet bazuar në rekomandimet e Komisionit të Venecias.
– Veprimet e qëllimshme të njëanshme të mazhorancës në Parlament tregojnë qartë se ajo nuk dëshiron një drejtësi të pavarur për sa kohë që kërkon ta sjellë atë si produkt i korruptimit të deputetëve dhe po ashtu mosvotimin e njëanshëm të saj si një alibi për të mos bërë reformën.
– Demagogjia e saj se po e bën se e kërkon populli as më shumë, as më pak është e njëjtë me atë që komunistët përdorën për 45 vjet.
Kjo është demagogjia për ta vënë nën kontroll gjyqësorin, për ta përdorur kundër çdo opozite politike dhe njerëzore.
Shqiptarët duhet ta kundërshtojnë me neveri dhe forcë këtë përsëritje të shëmtuar të historisë.
– Çdo veprim i njëanshëm i mazhorancës në Parlament për të tentuar të bëjë pazare me deputetët e opozitës, jo vetëm është i papranueshëm, por do të ketë konseguenca të rënda politike dhe do të cenonte integrimin europian të Shqipërisë.

Reforma Zgjedhore

Është reformë mbi reformat. Ajo është reforma që garanton qeverisjen e qytetarëve me votën e tyre të lirë. Zgjedhjet e 2015 treguan se kjo mazhorancë nuk ndalet në manipulim me ligj, me banditë, me blerje, me çdo metodë të manipulimit të zgjedhjeve.
Ne kemi një detyrë parësore në këtë proces, jo thjesht të bashkojmë të djathtën, por mbi të gjitha t’i bëjmë shqiptarët pjesë të konkurrimit, rrugëtimit dhe qeverisjes sonë të ardhme.
Ne duhet t’i japim shansin, të rinjve, biznesmenëve, të përndjekurve, pronarëve dhe intelektualëve të jenë pjesë e konkurrimit tonë zgjedhor dhe politik.
Prandaj kërkohet që PD dhe gjithë opozita të gjejnë rrugën për të maksimalizuar votën dhe padyshim për të garantuar integritetin e përfaqësuesve të opozitës, duke larguar prej saj ata që e shohin politikën si pazar në kurriz të së djathtës dhe atyre që i kanë votuar.
Shkurtimisht do të thosha se ne republikanët mendojmë se nuk do të humbim kohë dhe duhet urgjentisht në Komisionin e Reformës Zgjedhore të kërkojmë:
1- Votimin dhe numërimin elektronik.
2- Besojmë se konkurrimi me lista të hapura është në interes politik dhe elektoral të PD dhe opozitës.
3-Financimi i fushatës nga shteti.
4- Pariteti në media.

Reforma e pronave

Ligji i pronave i miratuar nga qeveria është padyshim varrosja përfundimtare e të drejtës së pronës.
Gjykata e Strasburgut me vendimin e fundit i dha një përgjigje tjetër paligjshmërisë së qeverisë, duke i dhënë të drejtë pronarëve.
ATP si një organ politik kundër pronarëve po merr vendime, të cilat i kompensojnë pronarët në vlera qesharake, duke e bërë këtë në mënyrë tinzare dhe klandestine.
Prandaj pronarët jo vetëm duhet të ngrihen kundër, por dhe duhet në mënyrë urgjente të kundërshtojnë vendimet e saj në gjykatë për t’i hapur mundësi vetes për t’ju drejtuar përfundimisht Gjykatës së Strasburgut për të zgjidhur problemin e tyre.
Kjo qeveri ka vetëm një qëllim dhe vetëm një produkt:
Padrejtësi + varfëri = Pushtet absolut = Korrupsion absolut
Kjo qeveri ka ndërtuar një mur të madh ndërmjet pushtetit dhe qytetarëve.
Ky mur është vendosur përballë nesh në rrugën europiane dhe prosperitetit.
Prandaj opozita dhe qytetarët duhet ta shembin me kusht këtë mur mjerimi, krimi dhe korrupsioni.

Exit mobile version