I fundit në listën e rinovimeve trajneri Luis Enrique

Barcelona vazhdon me planin e saj të rinovimeve. Këtë radhë është trajneri Luis Enrique, ai për të cilin po flitet për një zgjatje të bashkëpunimit me klubin katalanas. Ai që e konfirmon këtë lajm është zëvendëspresidenti i Barcelonës, Jordi Mestre, i cili në një intervistë për “El Mundo Deportivo” ka bërë të ditur se në janar do t’i ofrohet kontrata e re trajnerit 46-vjeçar. “Luis Enrique do të vendosë kur të dëshirojë. Fillimisht ai do të flasë për skuadrën, ndërkohë që situata e tij do të jetë e fundit që do të diskutohet. Enrique do të bëjë atë që i shërben më shumë skuadrës dhe besoj se shumë shpejt do të arrijë në përfundimet e duhura”, tha Mestre.
Ndërkaq, Jordi Mestre foli edhe për situatën e dy portierëve, Claudio Bravo dhe Marc Andre Ter Stegen, duke konfirmuar qëndrimin e tyre në Barcelonë. “Që një transferim të kryhet, duhet të ekzistojë  interesi i futbollistit dhe klubit. Por në këtë moment askush nuk largohet prej këtej. Duke njohur Luis Enriquen, asnjë prej tyre nuk e ka vendin të sigurtë në formacionin bazë. Bravo luajti pothuajse të gjitha ndeshjet e kampionatit dhe është shumë i kënaqur këtu, kështu që nuk ka asnjë arsye se përse ai duhet të largohet”, tha Mestre.

Exit mobile version