Ksavi: “Tiki-Taka” nuk vdes kurrë

Ksavi Hernandez vazhdon të jetë i dashuruar marrëzisht pas mënyrës së lojës “Tiki-Taka”. Ish-kapiteni legjendar i katalanasve ka thënë se kjo mënyrë loje nuk do të vdesë kurrë dhe ka arritur të japë fryte të jashtëzakonshme në botën e futbollit. Gjatë intervistës së tij për “Sport”, Ksavi tha se asnjë ekip tjetër nuk mund t’i afrohet lojës së Barcelonës.
“Askush nuk mund ta kopjojë Barcelonën. Ata kanë një lojë unike dhe fituese. Pavarësisht se kritikohet shpesh, ‘Tiki-Taka’ nuk vdes kurrë. Katalanasit nuk janë të dytët në asnjë renditje. Ata mund të afrojnë lojtarët më të mirë në botë pa shumë vështirësi. Kur shoh futboll të përgjithshëm në televizor mërzitem dhe i vetmi ekip që më jep energji pozitive është Barcelona.
Champions-i? Nuk është gjithmonë njësi matëse. Skuadra e Luis Enrikes është më e forta në Europë dhe ka futbollistë të shkëlqyer në të gjitha repartet. Ndonjëherë ndodh të mos jesh në ditën më të mirë apo të tregohesh i saktë përpara portës dhe të eliminohesh nga Liga e Kampionëve”, tha Ksavi.
Ksavi foli edhe për Leo Mesin, duke e vlerësuar atë si lojtarin më të mirë të historisë së futbollit. Ish-mesfushori i katalanasve tha se në të ardhmen bota e futbollit nuk do të ketë më lojtarë si argjentinasi. Ai e përshkroi numrin dhjetë të Barcelonës si gjeni.
“Për mendimin tim, nuk do të ketë një pasardhës të Mesit. Do të ketë futbollistë shumë të mirë, por në nivelin e tij nuk do të jetë askush. Në të ardhmen do të ketë më shumë balancë mes futbollistëve dhe s’do të ketë më luftë mes Ronaldos dhe Mesit. Kur Mesi të lërë futbollin, mendoj që Nejmar apo Hazard ose dhjetë futbollistë të tjerë mund t’i afrohen nivelit të tij, por ai ishte nga një tjetër kategori. Ai do të vazhdojë të jetë edhe për 3-4 vite lojtari më i mirë në botë dhe për këtë nuk kam dyshime”, vazhdoi më tej legjenda spanjolle.
Ai analizoi edhe momentin e vështirë që po kalon “pleshti”. E di që është në një situatë jo të mirë, por ai ka nevojë për mbështetje. Unë e kam telefonuar shpesh gjatë kësaj kohe dhe e di që Mesi ka forcë për ta kaluar këtë moment. Ai ka personalitet të fortë dhe do të bëhet gati për një sezon tjetër prej protagonisti”, përfundoi Ksavi.

Exit mobile version