Rama, vendim qeverie për të blerë vaksina ruse dhe kineze

Qeveria shqiptare i ka hapur rrugë negociatave me vaksinat ruse dhe kineze. Sipas aktit normativ të ditës së sotme, Manastirliu dhe Ahmetaj si ministra janë të autorizuarit për negociatat.

Në akt normativ theksohet se negociatat zhvillohen me vaksinat të cilat janë të certifikuara nga trupa certifikuese në vendin e prodhimit të tyre.

Duket se me këtë akt, Shqipëria përveç perëndimit po kthen sytë dhe nga lindja ku Rusia dhe Kina kanë prodhuar prej kohësh vaksinat e tyre.

AKTI NORMATIV NGA QEVERIA

AKT NORMATIV
PËR

DHËNIEN E AUTORIZIMIT MINISTRIT TË SHËNDETËSISË DHE MBROJTJES SOCIALE DHE MINISTRIT TË SHTETIT PËR RINDËRTIMIN PËR ZHVILLIMIN E NEGOCIATAVE ME PRODHUESIT, ME DISTRIBUTORË TË AUTORIZUAR, ME QEVERITË OSE INSTITUCIONET E AUTORIZUARA PREJ TYRE, TË VENDEVE QË PRODHOJNË OSE DISTRIBUOJNË VAKSINA ANTICOVID, PËR TË SIGURUAR KËTO VAKSINA, TË CILAT JANË TË CERTIFIKUARA NGA TRUPA CERTIFIKUESE NË VENDIN E PRODHIMIT TË TYRE

Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe të ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Neni 1
Dhënie autorizimi për zhvillimin e negociatave

Dhënien e autorizimit ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin për zhvillimin e negociatave me prodhuesit, me distributorë të autorizuar, me qeveritë ose institucionet e autorizuara prej tyre, të vendeve që prodhojnë ose distribuojnë vaksina anticovid, për të siguruar këto vaksina, të cilat janë të certifikuara nga trupa certifikuese në vendin e prodhimit të tyre.

Neni 2
Hyrja në fuqi

Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

Exit mobile version