“I kanë nxjerr paratë me çanta”, avokati i njohur: Politikanët e korruptuar kujtuan se deti u bë kos, do japin llogari njëri pas tjetrit!

Teksa ka komentuar punën e SPAK, avokati Spartak Ngjela, deklaroi se lufta antikorrupsion aktualisht ndodhet në nivelin mesatar, por që duhet ta kalojë punën në një nivel tjetër tani. Ngjela shprehet se beson te projekti amerikan për SPAK-un.

Avokati vuri në dukje se ka korrupsion të lartë nga të dy krahët e politikës dhe se për sulmet e Sali Berishës, i cili është nën akuzë prej mëse një viti për aferën në dosjen “Partizani”, u shpreh se ai ka “psikikën e të akuzuarit” dhe se nuk mund “të bëjë apo t’i zgjidhë punët me terror”.

Drejtësia ka hyrë në rrugën e kontrollit permanent, flasim për SPAK gjithmonë, sepse kjo tjetra jashtë SPAK ka probleme ende me korrupsionin. Kurse SPAK po krijon dhe ka krijuar goditje, ka krijuar tension të korruptuarve, ka goditje, të shohim si do shkojë, po nuk janë pak. Janë shumë, ish-kryeministër, ish-zv.kryeministër, ish-president, se janë nën akuzë, të presim si do jetë hetimi, se nuk është i lehtë. Duhet parë shkallë-shkallë, por shenjat janë se do rritet goditja penale, se s’ka rrugë tjetër”, thotë avokati, i ftuar në “Report TV”.

Por ai kërkon edhe reagim nga Qeveria në luftën ndaj korrupsionit, pasi shumë nga të akuzuarit janë apo kanë qenë pjesë e saj, që ndodhen në SPAK apo para Drejtësisë.

Mirë që ndodhi goditja penale, po a e ka aftësinë qeveria që të ndalojë korrupsionin? A ka peshë, se të gjitha qeveria po i pëson, se këta që akuzohen për korrupsion janë të socialistëve në shumicë, kjo është pyetja. A do marrin masa këta për korrupsionin, nuk është Prokuroria që ndalon korrupsionin, por institucionet, këshilli ministrave etj., por nëse administrata është e korruptuar nuk e mbron dot shtetin. Do e kalojë qeveria projektin e luftës antikorrupsion apo do e bëjë si pazari i gjësë së gjallë?”, thekson ai.

Ngjela mendon se të korruptuarit kanë lënë prova dhe gjurmë dhe se nuk janë profesionistë, ndërsa pret që të shohë nëse SPAK do e ngrejë nivelin.

Vullneti nuk pengohet nga dëshira. Është masiv korrupsioni dhe këta që kanë bërë korrupsion s’janë profesionist. Pofesionisti nuk trembet, e fsheh, me bankat etj., këta kujtuan se deti u bë kos dhe këta iu futën me lugë, por kosin ua kanë kapur! Se çfarë do bëjë më tutje prokuroria mbetet për t’u parë, por mendoj se është nivel mesatar, por më tej do varet nga vetë prokurorët nëse do e ngrejë nivelin apo jo. Do e shohim”, nënvizon avokati.

Por i pyetur në lidhje me presionet dhe kërcënimet e krimit të organizuar ndaj drejtësisë, apo edhe ato të Sali Berishës ndaj SPAK dhe BKH, ai thekson se korrupsioni është i lidhur me krimin e organizuar dhe veprojnë bashkë, teksa beson se e drejtuar nga Uashingtoni drejtësia do ia dalë.

Korrupsioni qeveritar gjithmonë është bashkuar me krimin e organizuar. Nuk flasim për banda me armë në krah, por bashkëpunimi mes korrupsionit qeveritar me biznesin, me tregtarët e mëdhenj. Ata mund të bëjnë presionin ndaj prokurorisë. Mirë që i ke marrë, por s’i do t’i shpenzosh, do bësh akullore? Si do bëjnë, ka të dhëna, kanë shkuar me njerëz për pastrimin e parave, me çanta. Por ka një sy qikllopik të madh që i ndjek, ku është? Në Uashington, i ndjek, i di të gjitha. Pothuajse të gjitha, por çështja është se këta janë në politikë, se që i kanë të identifikuar të gjithë i kanë, e dinë edhe sa kanë edhe ku i kanë. Deri tani kanë qenë të sigurt, se konfiskimi i pasurive të tyre vinte nga gjykatë ndërkombëtare, por tani ka ndërruar ligji. Nëse i dënon gjykata shqiptare, kudo bllokohen pastaj. Por luftën ndaj korrupsionit e ka politika amerikane, ata janë bërë SPAK tani. Kur të filloj momenti konkret do flasim më hollësisht”, tha Ngjela për Report TV.

Kurse për akuzat e Berishës ndaj SPAK u shpreh se drejtësinë e drejtojnë amerikanët nga Uashingtoni dhe se lufta nuk bëhet me terror ndaj drejtësisë.

Exit mobile version