Nga Namir Lapardhaja
Një ndër ‘kontributet’ negative që ka dhënë një pjesë e opinionistëve në mediat dhe televizionet shqiptare, është se kur flasin për korrupsionin apo rryshfetin e trajtojnë atë si diçka të zakonshme në shoqërinë tonë, i cili shpeshherë jo vetëm të zgjidh punë, por të lehtëson edhe një shkallë të gjerë burokracie, duke të lehtësuar shumë gjëra. Kjo, sipas tyre, i lë të gjithë të gëzuar dhe gjithçka vijon përpara pa qejfmbetje.
Që korrupsioni është pjesë e antropologjisë psikike dhe socio-kulturore të kësaj shoqërie, duket edhe te shprehjet stigmatizuese që i mveshin atyre që pretendojnë të kundërtën ose që synojnë të përpiqen të mos korruptohen apo më keq akoma ndaj atyre që kanë dhënë shenja të tilla përgjatë jetës dhe punës së tyre.
Mirëpo, ky normalizim i së keqes si diçka e zakonshme, është poshtërisa më e madhe që mund të bëhet. Pavarësisht se e keqja ekziston dhe është prezente në shoqëri, ta trajtosh atë me mospërfillje dhe t’i heqësh ‘aureolën’ e së dënueshmes dhe së ligës dhe të stigmatizosh ata që nuk e pranojnë si të tillë, nuk bën gjë tjetër vetëm se kontribun për të mbajtur të keqen në këmbë.
Nëse korrupsioni dhe rryshfeti do të ishte diçka e mirë dhe kontributore për mbarëvajtjen e një shoqërie, atëherë nuk do të kishim këtë disnivel të madh ekonomik dhe social. Nëse korrupsioni dhe rryshfeti do të ishte zgjidhje, atëherë jo rastësisht vendet e korruptuara janë shumë herë më të varfëra se ato me më pak korrupsion. Rasti i Shqipërisë me shumë korrupsion dhe ngelja prapa në shumëçka krahasuar edhe me vendet e Rajonit, është vetëm një ndër treguesit se korrupsioni jo vetëm që nuk e ka çuar shoqërinë përpara, por ka bërë pikërisht të kundërtën, duke e lënë pas edhe nga vende që dikur mund të kenë qenë më keq se ne.
Nëse e keqja normalizohet në një shoqëri, mos prit të mira dhe zgjidhje, por shih pasojat e përditshme, të cilat flasin më shumë se çdo fjalë e thënë dhe çdo rresht i shkruar.