Ibra-United, kontratë e re deri më 2019

Zlatan Ibrahimoviç-Manchester United një martesë e destinuar për të zgjatur minimalisht edhe dy sezone të tjera. Gjiganti suedez dhe klubi britanik janë shumë pranë finalizimit të marrëveshjes, pasi bashkëpunimi ka nisur të japë frytet e pritura. Edhe pse në moshën 35-vjeçare, Ibra është ende në gjendje të bëjë diferencën në fushën e lojës dhe Jose Mourinho kërkon ta ketë pjesë të projektit të tij deri në vitin 2019. Kontrata aktuale e sulmuesit skadon në fund të sezonit, por klauzola parashikon se nëse ai e kalon kuotën e 19 golave sezonale, atëherë rinovimi do të bëhet automatik.
Aktualisht, Ibra numëron 14 gola me fanellën e Manchester United, por nuk është aspak e vështirë që ai të prekë kuotën e nënvizuar në kontratë pasi do të luajë ende edhe një pjesë sezoni. Gjithsesi, ky detaj nuk ka aspak rëndësi në marrëdhëniet mes trajnerit dhe lojtarit, pasi portugezi dëshiron me çdo kusht t’ia dorëzojë suedezit çelësat e sulmit edhe për të paktën dy sezone dhe nuk do të jetë aspak e vështirë që gjatë ditëve të ardhshme palët në formalizojnë kontratën e re. Ibrahimoviç pa modesti ka deklaruar se mund të luajë futboll deri në moshën 50-vjeçare dhe ky është një tregues që në këmbët e tij ka ende energji dhe shumë dëshirë për të rivalizuar në nivelet më të larta.

Exit mobile version