Xabi Alonso do të varë këpucët në gozhdë

Xabi Alonso do t’i japë fund karrierës në futbollin e luajtur, në fund të këtij sezoni. Lajmi bëhet i ditur nga e përditshmja gjermane “Bild”, sipas së cilës mesfushori spanjoll i Bayern Munchen është takuar me drejtuesit e klubit bavarez, duke iu komunikuar vendimin e tij për t’u tërhequr. Kontrata e Alonsos me Bayernin skadon në verën e këtij viti dhe futbollisti 35-vjeçar nuk ka ndërmend ta rinovojë atë, ndërkohë që ai e përjashton mundësinë për të luajtur në një kampionat të një niveli më të ulët.
Karriera 18-vjeçare e Xabi Alonsos është shumë e pasur. Deri tani, mesfushori ka fituar një Botëror dhe dy Europianë me përfaqësuesen spanjolle. Në rang klubesh, ai ka mundur të fitojë dy Champions League me Liverpoolin dhe Realin e Madridit, një titull kampion të Spanjës, dy tituj të Bundesligës me Bayernin, një Kupë të Spanjës, një “FA Cup”, një “Community Shield” dhe një Kupë të Gjermanisë. Në të njëjtën kohë, Xabi Alonso ka mundur të fitojë dy Superkupa Europiane, një Superkupë të Spanjës e një Superkupë të Gjermanisë.

Exit mobile version