Ibrahimoviç konfirmon largimin nga PSG-ja

“Erdha si një mbret, largohem si një legjendë”. Në këtë mënyrë, Zlatan Ibrahimoviç i thotë lamtumirë PSG. Javë të tëra spekulimesh në lidhje me të ardhmen e tij, suedezi ka bërë të ditur largimin nëpërmjet një postimi në profilin e tij zyrtar në Twitter ku shkruan: “Nesër është ndeshja ime e fundit në ‘Parc De Princes’”. Suedezi kështu lë klubin e kryeqytetit francez ku kishte shkuar më 2012, pas një sezoni të katërt prej rekordesh me 36 gola të shënuar në Ligue 1, pas 30 prezencash dhe pasi ka fituar gjithçka në Francë. PSG gjithsesi me të nuk ia doli të shkonte më tej se çerekfinalet e Champions League dhe tani duket se do të vërë bast gjithçka mbi Cavanin që më në fund mund të luajë si qendërsulmues.
Ibrahimoviçit tani i duhet të zgjedhë se ku do të luajë, pasi synimi që ka përsëritur në javët e fundit është ai për të qëndruar në fushën e blertë. Në moshën 34-vjeçare, Ibrahimoviç ka theksuar shpesh se po përjeton periudhën më të mirë të karrierës. Hipotezat për të vazhduar të luajë diku tjetër janë të shumta, duke nisur që nga Italia te Milani, të cilin e përkufizoi para pak ditësh si klubin më të madh ku ka luajtur e deri te një kontratë e re në Premier League ku Manchester United përpiqet ta joshë prej muajsh. Gjithsesi mbeten të hapura dhe pistat që e çojnë në Shtetet e Bashkuara apo dhe në Kinë ku janë gati ta peshojnë në ar. Gjithsesi para se të shkojë në një skuadër të re, sulmuesi që ka shënuar më shumë gola në historinë e PSG do të fokusohet te Europiani që do të luajë pikërisht në Francë.

Exit mobile version