Erick Thohir blindon Mauro Icardin dhe konfirmon Roberto Mançinin. Presidenti i Interit në një intervistë nga New York-u, ku skuadra zikaltër po vazhdon përgatitjet për sezonin e ri, ka bërë të ditur se Mauro Icardi është i pashitshëm dhe nuk ka asnjë mundësi që sulmuesi argjentinas të largohet nga Interi për t’u transferuar te Napoli. “Nuk do ta shesim Icardin. Na ka ardhur një ofertë për të nga Napoli, por vitin e kaluar kemi rinovuar kontratën me Mauron, ai është kapiteni ynë dhe do të qëndrojë gjatë këtu”, theksoi manjati indonezian. Përsa i përket të ardhmes së trajnerit Roberto Mançini, Erick Thohir ka hedhur poshtë çdo aludim të mediave.
“Mançini është trajneri ynë, këtu në Amerikë ai po punon me shumë përkushtim dhe ne besojmë në aftësitë e tij”, deklaroi presidenti i Interit. Takimi ndërkohë mes trajnerit italian dhe grupit Suning që tashmë ka në pronësi rreth 70% të aksioneve të Interit që ishte në program për t’u zhvilluar në orët e kaluara është shtyrë për një tjetër datë dhe mediat italiane pavarësisht deklaratave të Erick Thohir nuk janë të sigurta për qëndrimin e Mançinit.
Për të kënaqur trajnerin dhe për ta bindur se klubi ka një projekt serioz për të ardhmen, drejtuesit e Interit janë shumë pranë një afrimi të rëndësishëm në merkato. Sipas asaj që raportojnë mediat zikaltërit kanë arritur marrëveshjen me Lazion për transferimin e Antonio Candrevas në Milano. 25 milionë euro përfshirë edhe bonuset do të përfitojë klubi bardhekaltër nga shitja e mesfushorit të kombëtares italiane, ndërsa Candreva me Interin pritet të firmosë një kontratë afatgjatë me një pagë prej 2,7 milionë eurosh në sezon.
Napoli ka rritur presingun, Icardi po i shkel syrin, por Interi thotë sërish jo. Sulmi i ri nga presidenti i të kaltërve De Laurentiis nuk ia ka dalë të rrëzojë murin e ngritur nga zikaltërit.
Oferta e Napolit për kapitenin e Interit është pak a shumë e njëjta, 6 milionë euro në vit përfshirë dhe 50% të të drejtave të imazhit, si dhe një klauzolë largimi prej plot 100 milionë eurosh në kontratë. Diferenca me kërkesën gjithsesi mbetet ende e konsiderueshme duke qenë se kërkesa e menaxherit është për 7 milionë euro në vit, si dhe një rritje të ndjeshme për sa i përket pjesës së të drejtave të imazhit.
Napoli përmirësoi ofertën që iu prezantua Interit për kartonin e numrit 9 të zikaltërve, nga 35 milionë euro plus dy të tjerë në formë bonusesh që kishte ofruar të dielën, De Laurentiis ka arritur të vërë në tavolinë 45 milionë euro plus 2 të tjera bonuse. 10 milionë në shumë, është diçka e konsiderueshme po të merret parasysh se oferta e dytë është bërë vetëm 24 orë më pas, por sërish mbeten pak në sytë e Interit që vazhdon ta konsiderojë Icardin një lojtar të pashitshëm për projektin e së ardhmes. Kështu edhe propozimi i dytë është konsideruar i papërshtatshëm nga Interi që do të mund të ulej për të diskutuar me Napolin vetëm përballë një oferte nga 70 milionë euro e sipër. Brenda pak kohësh, De Laurentiis, siç bëjnë të ditur mediat italiane, do ta provojë sërish.