Sormani: Partizani meritonte më shumë

Ka përfunduar 1-0, Salzburgu i milionave ka kaluar në “Elbasan Arena” falë një penalltie të realizuar nga Soriano përballë Partizanit në një ndeshje me më shumë dritë se sa hije për të kuqtë. Për trajnerin e të kuqve, Adolfo Sormani në konferencën për shtyp është e lehtë të kuptohet zhgënjimi për sa i përket shifrave përfundimtare që nuk i përgjigjen asaj çka dha në fushë skuadra e tij. Një humbje që duhet marrë disi me filozofi.
“Siç thonë anglezët ky është futbolli. Evidentohet eksperienca, aftësia për të menaxhuar ndeshjen në momentet kritike. Mëkat pasi djemtë sipas meje meritonin më shumë, meritonim më tepër për atë që dhanë, për atë që shprehën dhe për kurajon që treguan në lojë, për fat të keq duhet pranuar rezultati siç është dhe të punojmë për t’u përmirësuar”, u shpreh Sormani.
Trajneri italian i Partizanit evidenton faktorin që bëri diferencën në fushë, duke rezervuar në fund komplimente për lojtarët e tij. “Eksperienca në arenën ndërkombëtare bën diferencën. Ata ia dolën të maksimalizojnë atë që bënë, ne punuam shumë, por nuk morëm asgjë, por përsëris dhe vazhdoj të them se duhet të shohim paraqitjen. Atë që dhanë djemtë, si e interpretuan ndeshjen pa inferioritet psikologjik ndaj një skuadre me shumë cilësi. Duhet të jemi optimistë për atë që bëmë dhe mua nuk më mbetet tjetër veçse t’i përgëzoj lojtarët”, tha ai.
Sormani nuk pranoi të komentojë episodet arbitrale për ndeshjen, vendimtare në penalltinë në favor të Salzburgut, duke premtuar se Partizani do të punojë çdo ditë për të bërë një paraqitje të mirë dhe në takimin e kthimit. Vlerësim për 15 herë kampionët e Shqipërisë rezervoi edhe trajneri i formacionit austriak, Oscar Garcia.
“Ishte një takim mjaft i ngarkuar psikologjikisht. Jemi mjaft të kënaqur me këtë rezultat, e dinim që ndaj Partizanit nuk do ta kishim aspak të lehtë për vetë faktin se eliminoi një ekip si Ferencvarosh. Edhe sot e tregoi se është një kundërshtar i fortë dhe nuk gjendet rastësisht në këtë fazë të kompeticionit. Në gjirin e saj kjo skuadër ka lojtarë cilësorë dhe ishin mjaft të organizuar, duke na vënë jo pak në vështirësi. Më bënë përshtypje edhe disa lojtarë të rinj me perspektivë. Pavarësisht rezultatit të sotëm, në Austri ne do të bëjmë lojën tonë, duke kërkuar sërish rezultat pozitiv”, përfundoi trajneri i Salzburgut.

Exit mobile version