Me nisjen masive të largimeve të shqiptarëve përmes kërkesave për azil janë aktivizuar fuqishëm edhe rrjetet e trafikut të qenieve njerëzore. Të pashpresë nga kriza e rëndë ekonomike në Shqipëri dhe nga rritja e papunësisë, shqiptarët po braktisin mundësinë e azilit, duke parë si zgjidhje largimin nga vendi përmes gomoneve. Me shpresën për t’i shpëtuar dramës së rëndë që po jetojnë në vend, shqiptarët detyrohen që bashkë me familjet e tyre e me fëmijë të mitur e foshnja të sapolindura të nisen me gomone drejt vendeve të BE duke shitur ato pak pasuri që kanë për të paguar trafikantët që do sigurojnë transportin e tyre jashtë Shqipërisë. Bëhet e ditur se 10 mijë euro është pagesa që marrin trafikantët vetëm për një anëtar familjeve, pra, për një person. Raportimet nga mediat britanike për përpjekjet e shqiptarëve për të mbërritur në brigjet britanike përmes trafikut të paligjshëm janë shtuar kohët e fundit. Një grup prej rreth 150 emigrantësh shqiptarë është vendosur në një kamp tendash në një shkëmb në Dieppe në brigjet veriore të Francës. Me kampin e Xhunglës në Kale që është shkatërruar nga buldozerët dhe siguria e lartë në hyrjen e tunelit në kanalin mes Francës dhe Britanisë, një numër i madh i emigrantëve po ndërrojnë vendqëndrimet e tyre. Shqiptarët tregojnë se shpeshherë tendat e tyre goditen nga gurë që bien nga shkëmbinjtë. I pyetur nga gazetari Paraic O’Brien se çfarë do të bëjë në Britani, shqiptari 20-vjeçar, Landi shprehet: “Jo ndonjë gjë të veçantë. Thjesht të shkoj në punë çdo ditë dhe të kthehem në shtëpi, të flas me shokët e mi dhe familjen në internet. Asgjë speciale”, shprehet shqiptari. “Channel 4” raporton se trafikantët e qenieve njerëzore kërkojnë të paktën 7 mijë paund për të transportuar emigrantët përmes kanalit Francë-Britani. Gazetari britanik foli dhe me një emigrant shqiptar në Dieppe, i cili ishte deportuar nga qyteti i Southempton. Më pas televizioni britanik njoftoi se këshilli i qytetit Dieppe i ka ofruar emigrantëve që të qëndrojnë në një stacion treni gjatë natës. Ndërkohë, një ish-kryeinspektor britanik i kufirit dhe emigracionit shprehet se ka frikë se tragjedi me emigrantë do të ndodhin shumë shpejt në kanalin mes Francës dhe Britanisë. Pak ditë më parë, 18 shqiptarë u shpëtuan në brigjet e Anglisë teksa ata po tentonin të kalonin ilegalisht në tokën britanike. Tabloidi britanik, “Daily Mail”, shkruan se mjeti lundrues që do të transportonte 18 shqiptarët dhe dy trafikantët britanikë në kanalin mes Francës dhe Anglisë vinte nga fshati Kent i Mbretërisë së Bashkuar. Sipas prestigjiozes, trafikantët e kanë kaluar gomonen afër rojeve bregdetare britanike pa u vënë re. “Daily Mail” ka arritur që të sigurojë pamjet e kamerave të sigurisë në fshatin Kent, në të cilat shikohen lëvizjet e një makine që po tërheq pas një gomone, që sipas tabloidit, përdoret për të marrë emigrantët në mes të detit dhe për t’i sjellë në breg. “Banorët thonë se këto pamje janë prova që fshati Kent tashmë është një portë hyrëse për trafikantët e qenieve njerëzore që fusin ilegalisht emigrantë përmes kanalit”, shkruan “Daily Mail”. Kamerat e sigurisë kanë kapur disa herë aktivitete ku dyshohet se janë kryer trafikime të qenieve njerëzore drejt Britanisë. Pamjet nga e shtuna, më 28 maj tregojnë një anije të bardhë që vjen nga deti. Besohet se e njëjta anije është përdorur për të sjellë shqiptarët nga Belgjika përmes detit. Sipas “Daily Mail”, trafikantët kanë edhe një shërbim shumë të sofistikuar për të trafikuar qeniet njerëzore që përfshin edhe një shërbim shpëtimi në rast se gjërat shkojnë keq. Por përpara se shërbimi i emergjencës të lajmërohej për një gomone që po mbytej, kamerat e sigurisë tregojnë një tjetër anije që vjen nga deti dhe hyn në fshat. Ditën tjetër i njëjti mjet lundrues u gjet i braktisur në bregdet. Besohet se kjo mund të ketë qenë anija e shpëtimit që përdorej nga trafikantët. “Daily Mail” shkruan se e njëjta situatë shfaqet në kamera dhe në datën 11 maj, ku një ditë më pas një tjetër anije ishte gjetur e braktisur në plazh, ku në të kishte dhe shumë jelekë shpëtimi. Përveç në Kent, e njëjta metodë trafikimi shikohet dhe në fshatin e vogël Dymchurch. Ndërkohë, “Daily Mail” shkruan se sipas analizave, 70% e shqiptarëve që kërkojnë azil në Britani nuk kthehen pavarësisht se në vend ka paqe. Autoritetet britanike tregojnë se mes 2008 dhe 2014 ka pasur 4653 kërkesa për azil nga shqiptarët. Sipas të dhënave, 7 nga 10 kërkesat janë pranuar.
Azilantët që largohen nga Gjermania drejt Britanisë
Dy emigrantë shqiptarë në Gjermani janë kapur, teksa përpiqeshin të largoheshin drejt Britanisë. Ata janë gjetur në një anije mallrash angleze, e cila vinte nga Immingham, Lincolnshire, drejt portit Cuxhaven. Por dy shqiptarët nuk janë të vetmit, pasi ndodhen në mesin e dhjetëra të rinjve, të cilët u zbuluan në përpjekjen e tyre që të largoheshin pa pagesë drejt Anglisë. Zëdhënësi i policisë federale Holger Jureczko tha: “Ata kanë thënë se iu duhej të largoheshin nga Gjermania brenda shtatë ditëve, por është e mundur që ne mund t’i shohim ato përsëri në port së shpejti. Kjo ka ndodhur edhe në të kaluarën. Disa prej tyre janë kapur përsëri disa ditë më pas”. Policia gjermane ka nisur aksionin, duke iu vënë pas emigrantëve të jashtëligjshëm, të cilët përdorin portin e Detit të Veriut për t’u larguar drejt Mbretërisë se Bashkuar. Ndërkohë, policia gjermane thotë se 65 persona janë kapur në portin Cuxhaven, në nëntë muajt e fundit. Shtatë të tjerë u ndaluan në Immingham. Përfaqësuesi i policisë, Jureczko tha se policia dhe operatorët e portit kanë rritur sigurinë dhe besojnë se shumica e emigrantëve të paligjshëm tani janë duke u kapur.
Aktivizimi i bandave kriminale të trafikut
Çështja e emigrantëve të paligjshëm nga Shqipëria është temë dite në Britaninë e Madhe. Ndërsa politikanët pro daljes së vendit nga Bashkimi Evropian e përdorin këtë për fushatë, autoritetet nga ana tjetër hetojnë mënyrën se si kryhet ky trafik. Gazeta britanike “Sun”, zbulon një bandë kriminale, e cila përfiton 140 mijë paund për trafikun e emigrantëve. Sipas dëshmive të siguruara nga gazeta, banda përdor anije që nisen nga qyteti bregdetar Dymchurch, Kent në Gjermani për në Calais të Britanisë.
E njëjta bandë besohet se po transportonte edhe 18 emigrantët shqiptarë që pak ditë më parë rrezikuan të mbyten. Gazeta ka siguruar edhe një video ku besohet se janë filmuar pjesëtarët e grupit që kryen trafikun e emigrantëve. Kontrabandistët veprojnë në qytetin Dymchurch. Dy makina dhe një furgon tip “Ford” ndalin dhe qëndrojnë për rreth 13 minuta dhe më pas kryejnë transportin e emigrantëve pas udhëtimit nëpërmjet detit gjatë natës. Pamjet janë filmuar në muajin maj.
Në një video tjetër, shihet një skaf i bardhë me rimorkio duke transportuar emigrantë. Varka besohet se lundronte në Calais ku dyshohet se erdhën 18 shqiptarët, të cilët për fat nuk shkuan në destinacion nga banda. Një shqiptar i tha policisë se kishte paguar 8 mijë paund për transportin nëpërmjet barkës. Kjo do të thotë se banda do të përfitojë 140 mijë paund për çdo udhëtim. Zyrtarët vendorë në Dymchurch thanë se javët e fundit janë rritur shumë anijet e dyshimta në zonën detare.