PD: Rama t’u kërkojë falje publike qytetarëve

Partia Demokratike ka akuzuar Kryeministrin Edi Rama për vendosjen në postet publike të personave me të kaluar kriminale, duke iu referuar këtu rastit të Elvis Rroshit. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, PD thotë se Edi Rama duhet t’u kërkojë falje qytetarëve që vendosi një të dënuar për përdhunim në grup që të drejtojë Bashkinë e Kavajës. Sipas selisë blu, Rroshi u zbulua për veprat penale që ka bërë në Itali, Zvicër dhe Gjermani nga ligji i Dekriminalizimit, që u kundërshtua deri në fund nga Kryeministri Edi Rama. “Ashtu siç mbronte dje Arben Ndokën e Mark Frrokun që detyronin femrat të prostituonin ashtu dhe sot Edi Rama ka dalë në mbrojtje të një përdhunuesi si Elvis Roshi. Kjo është e turpshme. Edi Rama duhet t’u kërkojë ndjesë shqiptarëve që i poshtëroi me këtë qeverisje kriminelësh. Duhet t’i kërkojë ndjesë qytetarëve të Kavajës që i poshtëroi,  duke kandiduar një person të dënuar për përdhunim, t’u kërkojë ndjesë që u kandidoi një person të dënuar në Zvicër për trafik droge e të ndaluar në Gjermani siç e pranon dhe vetë Elvis Roshi. Nëse nuk do të ishte ligji për dekriminalizimin që Edi Rama e kundërshtoi deri në frymën e fundit, Elvis Roshi do të ishte ende duke drejtuar Bashkinë e Kavajës. Edi Rama të lerë sulmet absurde ndaj opozitës se nuk i ikën dot përgjegjësisë e të dorëzojë trafikantët dhe kriminelët që drejtojnë Bashkitë, policinë dhe poste kyçe të administratës”, thuhet në reagimin e Partisë Demokratike.  Elvis Rroshi u dorëhoq dje nga posti i kryetarit të Bashkisë së Kavajës, pasi deklaroi se kishte zbuluar papritur se ishte dënuar në mungesë në Itali në vitin 1992, vendim për të cilin nuk ishte në dijeni. Disa orë më pas, u zbulua edhe dëshmia italiane e penalitetit të Rroshit, që saktësonte Elvis Rroshi është dënuar për përdhunim në grup. Sipas dëshmisë së penalitetit, në nëntor të vitit 1992 dënohet në Itali për përdhunim. Ky detaj i kishte shpëtuar të gjitha publikimeve të deritanishme mediatike të dosjes së zezë të Elvis, Ervin Rroshit. Çështja është edhe më e rëndë nëse i referohemi dokumenteve të drejtësisë italiane.  Ai ka përdhunuar në grup dhe dosja e thotë qartë ka përdhunuar në bashkëpunim dhe ka bashkëpunuar në përdhunim. Një histori e pistë, e ndyrë, e denjë për pjesën më perverse të botës së krimit, të cilën Rroshi thotë se e ka nisur që në hapat e para të rinisë së tij.  Sapo lirohet nga burgu vijon aktivitetin e tij të trafikut të drogës në Zvicër. Dënohet me burgim 4 vjet për periudhën nga viti 1993-1997. Ky dënim nuk është përfshirë fare në formularin e dekriminalizimit po ashtu sikurse edhe dënimi në Itali për përdhunimin në grup. Të dyja këto përbëjnë një kundravajtje penale sipas ligjit të dekriminalizimit.  Pas këtyre dy dënimeve të rënda për përdhunim dhe trafik droge vjen një tjetër periudhë e errët e Elvis Rroshit në Gjermani. Ai thotë në formularin e dekriminalizimit se mban mend që është arrestuar, hetuar dhe dënuar, por nuk mban arsyen se përse është penalizuar dhe as kohën që ka qëndruar pas hekurave. Nëse llogarisim këtë kohë të qëndrimit jashtë Shqipërisë si emigrant të Rroshit rezulton sipas këtyre dënimeve se ai më shumë ka qëndruar pas hekurave se jashtë tyre. Dhe kohën që ka qëndruar jashtë e ka përdorur për aktivitete kriminale për të cilat më pas është arrestuar dhe dënuar.  Edhe në rastin e dënimit për përdhunim Rroshi u shpreh se atij prapë nuk i kujtohej.

Exit mobile version