Kriminaliteti farmaceutik përbën një problem serioz në BE. Studimi i fundit i Këshillit të Evropës ngre alarmin që prek shëndetin publik në kontinentin tonë dhe vë theksin tek rregullimi i legjislacionit për marrjen e masave për këtë fenomen shqetësues.
Aktualisht në vendet me të ardhura mesatare apo të ulët 1 në çdo 10 ilaçe në qarkullim është false, ndërsa në Afrikë përbëjnë 42% të rasteve. Sipas OBSH 1/3 e ilaçeve kundër malaries janë false dhe vetëm në Afrikën Subsahariane 158 mijë njerëz vdesin në vit si pasojë e kriminalitetit farmaceutik.
Por kjo është plagë globale, dhe konsiderohet aktualisht si sektor kriminal me të ardhurat mjaft të larta, me një treg paralel që kryesisht niset nga Kina, Emiratet e Bashkuara, Turqia dhe India.
Sipas OBSH-së, shpenzimi total vjetor botëror në medikamente është rreth 1.1 trilionë dollar, nga këto rreth 40 miliardë Dollarë vetëm në Afrikë. Ndërsa kontrabandimi i ilaçeve dhe falsifikimi i tyre vlen rreth 200 miliardë Dollarë në vit. Ndërkohë që në këtë treg gjigant rreth 2 miliardë njerëz në botë nuk kanë asnjë akses për të përdorur ilaçe, qoftë edhe ato bazike e më të thjeshtat.
Sipas OBSH-së, por edhe organizatave të ndryshme mjekësore ndërkombëtare që kanë kryer studime në terren, rezulton se ilaçet e falsifikuara në përmbajtje të tyre kanë kryesisht miell, niseshte, apo pluhur shkumësi.
Megjithëse teknologjia ka avancuar, ka ende shumë punë për të bërë në këtë sektor, pra që pacienti të ketë mundësinë të verifikojë nëse një ilaç është fals apo kontrabandë.
Në vitin 2013, gjatë një kontrolli u arrit të konfiskohej një sasi prej 1 miliard produkte medicinale të falsifikuara, në 146 kontenierë, me vlerë 560 milionë Dollarë.