Imagjinoni për një moment sikur Astrit Patozi të merrte drejtimin e PD. A do të ishte dakort zonja Topalli

Nga Erl KODRA

Jozefina Topalli dhe Astrit Patozi

Kur Sali Berisha, lideri historik i Partisë Demokratike, dha dorëheqjen si Kryetar i partisë në vitin 2013, boshllëku dhe konfuzioni që u krijua në lidershipin e saj, ishte i kuptueshëm. Partia Demokratike nuk është thjesht një organizim politik, por ndryshe nga çdo parti tjetër në Shqipëri, ajo është vet fryma e përballjes me të keqen, e dënuar t’i rezistojë çdo agresioni, në mbrojtje të parimeve të demokracisë, shtetit ligjor dhe lirive dhe të drejtave njerëzore. Partia që lindi nga këto parime të përbotshme, nuk mund të bjerë pre e epsheve për pushtet, as të kthehet në viktimë e një lufte të brendshme pa principe morale. Për më tepër, Partia Demokratike nuk mund të kthehet në një arenë luftrash për lojën e pushtetit, për interesat personale të askujt, sepse interesat e Shqipërisë dhe shqiptarëve tejkalojnë fatet personale të gjithsejcilit.

Aksioma e përçarjes së kundërshtarit, për ta mposhtur dhe sunduar atë, është e vjetër sa njerëzimi. Shoqëritë demokratike perëndimore e kanë tejkaluar këtë epokë, por për fat të keq, shoqëria jonë gjendet në kulmin e një luftë të tillë pa principe, anipse, ata që po e aplikojnë i kanë shkaktuar vendit tragjedi pafund. Fundja, lufta e sotme nuk është një lojë e zakonshme politike, as një përplasje fraksionesh brenda një partie, as programesh ose idesh për çështje të caktuara, por është mirëfilli një lojë për pushtet, e sponsorizuar dhe e dirigjuar nga armiku më i egër i demokracisë dhe shtetit ligjor, Kumbari i Mafias në krye të Qeverisë, Kryeministri Edi Rama.

Sikur të ishte ndryshe, domethënë, ata që i bëjnë opozitë Partisë Demokratike dhe Kryetarit Lulzim Basha, të ishin ndofarë filozofësh të mendimit politik shqiptar, ose të kishin ndonjë vlerë më të madhe intelektuale, ose të kishin arsye të tjera përveç inatit, shpirtëngushtësisë dhe smirës; por mbi të gjitha, të mos i shërbenin hapur dhe pa pikë turpi Edi Ramës, edhe mund të gëzonin njëfarë mirëkuptimi. Po kush janë dhe çfarë përfaqësojnë Astrit Patozi dhe Jozefina Topalli? A janë ata intelektual të klasit të lartë, njerëz me dije të thella dhe kredenciale të larta morale? Po Mylsim Murrizi dhe Rudina Hajdari? Po Majlinda Bregu?

Kush ishte Jozefina Topalli dhe çfarë pozitash mbante ajo deri më 2013? Po Astrit Patozi? A mos ishin të dy nënkryetar të Partisë Demokratike? A kanë qenë ata aspirant për të marrë drejtimin e Partisë Demokratike?

Imagjinoni për një moment sikur Astrit Patozi të merrte drejtimin e Partisë Demokratike. A do të ishte dakort Zonja Topalli? A do ta pranonte ajo Astrit Patozin si liderin e saj? Po anasjelltas? Çfarë mund të ndodhte me Partinë Demokratike nëse në krye të saj të ishte Astrit Patozi ose Jozefina Topalli?

Po i ngre këto pyetje retorike sepse ky është thelbi i sulmeve dhe pretendimeve të dy kundërshtarëve më të egër të Lulzim Bashës; domethënë, se Basha është një diktator që ka uzurpuar partinë, se ka bërë marrëveshje me Edi Ramën, se ka tradhëtuar idealet e demokratëve dhe njëmijë e një të zeza të tjera.

Ata që thonë se kjo lloj gjuhe nuk i bën dëm Partisë Demokratike gabohet rëndë. Po, kjo lloj gjuhe dhe këto akte i bëjnë shumë dëm jo vetëm PD-së, por edhe krejt shoqërisë. Ata i bëjnë mirë vetëm Edi Ramës dhe shtetit të mafias që ai ka ngritur. Megjithatë, nuk po themi se edhe ata janë të kapur nga mafia, megjithse, pak e vështirë të besohet se një tip si Astrit Patozi të jetë imun nga viruse dhe veset njerëzore. Për zonjën Topalli rezervohem të them të njëjtën gjë.

Partia Demokratike mbështetet nga një masë e madhe e qytetarëve shqiptar, familje të nderuara që kanë bërë historinë e Shqipërisë. Njerëzit më mendjehapur të shoqërisë gjenden në Partinë Demokratike, pjesa më me moral e shoqërisë e mbështet Partinë që aspiron për shtet të së drejtës.

Shumë demokrat kanë kredenciale më të larta morale se çdonjëri prej lidershpit aktual të Partisë Demokratike. Ka prej atyre që kanë shkrirë jetën e disa brezave për idealet e lirisë, prosperitetit dhe dinjitetit njerëzor. Por ata vetëm qëndrojnë me dinjitet, pa kërkuar privilegje, as për të qenë me çdo kusht në krye të Partisë. Tek e fundit, demokracia është procedurë, dhe si e tillë, Lulzim Basha është Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë. Në opozitë të ashpër me Shtetin e Mafias dhe Kumbarin e saj, Edi Rama.

Në këto rrethana, është krejt e qartë se kush është armiku, kush po i shërben vendit, dhe kush po i shërben kujt. Është nga ato momentet ku gjithkush merr anë; me të mirën apo me të keqen.

Me sa duket, Jozefina Topalli dhe Astrit Patozi e kanë bërë zgjedhjen e vet, tashmë të pakthyeshme.

Suksese në jetë, Jozefinë!

Artikulli paraprakVotimi i Kodit Zgjedhor/ Kreu i Komisionit të Jashtëm në PE deklaratë të fortë kundër Ramës
Artikulli tjetërShërbim në kufinjtë e turpit por dhe krimit epidemiologjik! Berisha: Ish-kunata në krye të ISHP vepron siç i thotë Xhahil Surreli