Inaugurimi i shekullit, fillimi i erës Trump!

Sali BERISHA

Në Kapitol Hill u zhvillua ceremonia madhështore në kufijtë e epikes e inaugurimit të Presidentit të 45 të SHBA, Donald Trump. Kjo është një ditë historike dhe ky është inaugurimi i shekullit për SHBA, kombin amerikan, miqtë e tyre, por dhe mbarë botën.
Inaugurimi i Barack Obamës si presidenti i parë me ngjyrë i SHBA ishte padyshim një moment historik dhe një përmendore tjetër lirie e kombit të madh amerikan. Por inaugurimi i sotëm i Donald Trump është inaugurimi i shekullit dhe fillimi i një ere dhe kjo sepse:
Për herë të parë në historinë e SHBA një personalitet jashtë establishmentit, më i kundërshtuar se asnjë tjetër nga spektri politik, nga mediat, institucionet zyrtare dhe poll-et e vendit të tij, por edhe nga shtetarë të huaj e deri dhe institucione ndërkombëtare, triumfon mbi të gjithë dhe jashtë pothuajse çdo parashikimi kurorëzohet sot si njeriu më i fuqishëm i botës dhe kjo vetëm e vetëm në sajë të gjenisë së tij frymëzuese si lider i lëvizjes, revolucionit më të fuqishëm paqësor që Amerika dhe bota kanë njohur më parë.
Ky revolucion paqësor, që është dhe një herë më i fuqishmi i kohërave në llojin e vet, jam i bindur se nuk synon të përmbysë sistemin e vlerave, por status quo-në e establishmentit të tij të vjetëruar e pse jo të sëmurë dhe të lënë mbrapa nga koha e pamëshirë. Dëshmia më e qartë e kësaj është vetë vazhdimi i fushatës së gjithanshme demonizuese antiTrump pas triumfit të tij nga ata që humbën, duke dëshmuar një raport të vështirë gjer në kufijtë e absurdit me realitetin e ri!
Ky revolucion nuk synon të përmbysë, por të reformojë thellësisht për t’i përshtatur me realitetin dhe të ardhmen infrastrukturën institucionale, kombëtare dhe ndërkombëtare të sistemit aktual!
Kështu që unë besoj se motoja e Donald Trump “do të bëjmë Amerikën të madhe përsëri”, që Presidenti Trump afirmoi përsëri në fjalimin e tij inaugural historik, është një lajtmotiv i ridimensionimit të lirisë në SHBA dhe në botë si rruga e vetme për arritjen e qëllimit të madh.
Një “Amerikë më e madhe përsëri” do të thotë liri më e madhe edhe në botë. Inaugurimi i Donald Trump është inaugurimi i shekullit edhe sepse ekipi që ai përzgjodhi është një monument intelektual, njerëzor, madhështor i konservatorizmit, vlerat e të cilit kanë ndërtuar lirinë e qytetërimit perëndimor.
Duhet theksuar se për herë të parë në timonin e botës së lirë vjen biznesi i madh me vetë presidentin dhe ekipin e tij miliarder me potencialin e tij të jashtëzakonshëm reformues në radhë të parë të ekonomisë së SHBA me rrezatim të fuqishëm planetar!
Duke i uruar nga zemra suksese presidentit Donald Trump në misionin e tij të madh dhe falënderuar me mirënjohje administratën e Presidentit Obama shpreh bindjen se marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë midis dy kombeve dhe vendeve tona do të njohin dimensione të reja.
Unë gjithashtu ftoj të gjithë qytetarët shqiptarë të frymëzohen nga ndryshimi, lëvizja dhe epoka Trump dhe me mençurinë, guximin, vendosmërinë tonë qytetare të rreshtohemi në anën e saj e të largojmë sa më parë nga pushteti Edi Ramën, njeriun që u përdor, që u korruptua si mercenar nga Xhorxh Soros dhe bëri veten turpi i dheut duke sulmuar me fjalorin e një ordineri ish-kandidatin, aktualisht President i 45-të i SHBA, Donald Trump!
Dhe një herë: Urime! Sb

Exit mobile version