Mal BERISHA
Para disa ditësh Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani organizoi një takim me ish-ambasadorë të RSH të akredituar jashtë shtetit që nga fillimi i viteve ‘90. Në atë takim u fol për Brexit dhe opinionin e diplomatëve rreth asaj çështje në një tryezë në formën e një bordi opiniondhënës. Në vijim të kësaj, e prita me respekt dhe kënaqësi edhe ftesën që Presidenti më dërgoi për të marrë pjesë në takimin vjetor të ambasadorëve të RSH, të cilët gjenden momentalisht jashtë shtetit dhe janë kthyer në atdhe për konferencën e tyre vjetore. U ndjeva mirë sepse mendova se ka ende një drejtues të shtetit shqiptar, i cili beson se përvoja e ish–ambasadorëve shqiptarë, të cilët kanë shërbyer jashtë vendit vlen po aq sa e atyre, të cilët sot janë në detyrë dhe që nesër edhe ata do të jenë “isha”.
U takova me shumë prej atyre që e kishin përfaqësuar Shqipërinë. Disa vinin që herët, të shumtët që nga koha kur Shqipërinë demokratike filluan ta drejtojnë herë të majtët e herë të djathtët. Mendova se më në fund triumfoi arsyeja dhe se pavarësisht bindjeve politike, të gjithë kishim qenë ose ishim shërbëtorë të devotshëm të Atdheut tonë në botën e jashtme. Presidenca i kishte hapur dyert bujarisht me përcaktim të saktë në ftesë: “Vetëm për ambasadorët që janë sot në shërbim dhe për ish–ambasadorë, të cilët sot janë ose të larguar nga detyra për arsye politike, ose janë në shërbime tjera, ose vazhdojnë veprimtarinë e tyre në Ministrinë e Punëve të Jashtme, në role dhe detyra tjera. Vetëm për ambasadorët, e theksoj”.
Vonesa prej 15 minutash në ardhjen e ambasadorëve në funksion ishte një akt i paprecedentë në respektin që duhej të demonstrohej ndaj kryetarit të shtetit dhe institucionit që ai drejton. Por edhe më keq se kaq, autobusi që transportonte diplomatët shqiptarë në takimet me drejtuesit e qeverisë dhe Parlamentit solli dhe shkarkoi një turmë njerëzish, ndër të cilët një numër i madh ishin të paftuar. Kjo kategori njerëzish në SHBA – vendin më demokratik në botë quhet Party Crashers, dhe ai që shkon pa ftuar në një instancë kaq të lartë të shtetit largohet me dhunë.
Presidenti ynë, me urtësinë e tij impresionuese, zgjodhi ta anulonte këtë aktivitet dhe të nxirrte jashtë pa bujë ata që deshën të marrin nëpër këmbë autoritetin e tij. Për rrjedhojë ky aktivitet, me të drejtë u anulua. Respekt për zotin President dhe për qartësinë e veprimeve të tij në ruajtje të dinjitetit të institucionit që përfaqëson!
Bushati tentoi të hynte me dhunë në pritjen e Nishanit, goditi me grusht punonjësin e Gardës
Një incident i rëndë ka ndodhur pasditen e së enjtes në Presidencë, gjatë pritjes që kreu i shtetit Bujar Nishani kishte planifikuar me ambasadorët e Shqipërisë nëpër botë. Nëpër media u raportua se Presidenti Nishani kishte anuluar për shkaqe të panjohura takimin me ambasadorët. SYRI.net ka mundur të mësojë se mbledhja u anulua për shkak të një veprimi të pahijshëm nga ana e ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati. Burimet sqarojnë se gjatë kohës që Presidenti kishte planifikuar pritjen me ambasadorët shqiptarë, ministri Bushati tentoi që të shkonte me forcë. Së bashku me drejtues të tjerë të Ministrisë së Jashtme, të cilët nuk kishin marrë ftesë për të qenë të pranishëm, Bushati dhe vartës të tjerë të tij dhunuan punonjësit e Gardës, duke shkelur rëndë protokollin dhe duke kërkuar që të hynin me forcë në Presidencë. Lidhur me këtë situatë që ndodhi, Presidenti i vendit Bujar Nishani u detyrua që të anulonte takimin e planifikuar me ambasadorët, për shkak të incidentit të rëndë me ministrin e Jashtëm.