Maskat terror në Tiranë, plagosin shoferin dhe i grabisin makinën

Persona të maskuar dhe të armatosur kanë plagosur një person në kryeqytet dhe i kanë grabitur makinën. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mesnatën e së enjtes në zonën e Selitës në Tiranë pranë hotel “Dinastia”. Burimet e policisë bënë të ditur se, persona të armatosur dhe të maskuar kanë plagosur me armë në këmbë shtetasin Thanas Naumi, i cili po udhëtonte me mjetin e tij tip “Benz” ML me targa 515 HM. Pasi e kanë plagosur në këmbë, autorët i kanë grabitur mjetin nën kërcënimin e armës. Sipas burimeve, autorët janë larguar me shpejtësi me makinën që i morën shtetasit që lanë të plagosur.
Bëhet e ditur se drejtuesi i automjetit bërë rezistencë dhe për këtë arsye grabitësit e kanë qëlluar me armë zjarri. Grabitësit e kanë lënë në mes të rrugës të plagosurin e mbuluar me gjak. Kanë qenë disa kalimtarë të rastit që e kanë marrë të plagosurin dhe e kanë dërguar në spital në gjendje të rëndë, por pas ndërhyrjes së mjekëve ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Breshëritë e armës kanë shkaktuar frikë dhe panik tek banorët e zonës, të cilët kanë njoftuar menjëherë policinë. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes pas njoftimit, por nuk ka mundur të zbulojë autorët e krimit. Ndonëse kanë kaluar 24 orë nga grabitja, ende nuk është bërë e mundur nga policia identifikimi dhe kapja e autorëve.
Gjatë ditëve të fundit janë shtuar së tepërmi grabitjet në kryeqytet dhe në të gjithë vendin. Dy ditë më parë u grabit një dyqan celularësh në Tiranë. Grabitja ka ndodhur në lagjen “Ali Demi”. Dy persona të kamufluar me kapele janë futur në dyqan dhe nën kërcënimin e armës kanë detyruar shitësin që t’u japë disa telefona celularë. Më pas, ata janë larguar nëpër rrugicat e lagjes. Policia nuk ka arritur t’i identifikojë dhe arrestojë.

Maskat i grabisin arkëtares së Ujësjellësit 6 milionë lekë

Një tjetër grabitje nga maskat ka ndodhur mesditën e djeshme në Tiranë. Dy persona të maskuar i janë afruar arkëtares së Ujësjellës-Kanalizimeve në Kamëz dhe nën kërcënimin e armës i kanë rrëmbyer çantën me para dhe janë larguar me shpejtësi. Bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:00 në rrugën “Halit Haxhia” në Kamëz, sapo arkëtarja ka dalë nga banesa. Manushaqe Lleshi ka deklaruar në polici se në çantë kishte 6 milionë lekë të vjetra të punës, të cilat do t’i dorëzonte gjatë ditës.
Sipas arkëtares, një person i ka terhqehur çantën nga krahu dhe është larguar me shpejtësi. Po ashtu, arkëtarja ka thënë në polici se paratë i kishte marrë me vete në shtëpi, pasi në zyrë nuk ishin të sigurta. Ndërkohë, çanta e saj me telefonin celular është gjetur nga një person, i cili e ka dorëzuar në polici. “Kisha 6 milionë lekë me vete. I mbaja paratë në shtëpi, pasi në zyrë s’kisha ku t’i siguroja”, ka thënë para policisë gruaja që punon si arkëtare te Ujësjellësi. Policia bëri të ditur se ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe zbulimin e autorëve.
Para disa ditësh, persona të maskuar dhe të armatosur grabitën një supermarket në qendër të Kamzës. Dy perosnat e maskuar, pasi u futën në supermarket qëlluan me armë tip kallashnikov në ajër, duke e detyruar shitësen që të dorëzonte të gjitha paratë. Pasi kanë marrë paratë, ata janë larguar në drejtim të paditur për policinë. Edhe në këtë rast, autorët nuk janë zbuluar ende nga policia.
Para pak ditësh, dy persona me maska sulmuan me armë zjarri dhe plagosën dy vëllezër tregtarë në Fushë-Krujë. Dy vëllezërit nga Tirana kishin shkuar në tregun e Tapizës për të tregtuar, por sapo kanë filluar të nxjerrin mallin nga makina, papritur janë sulmuar nga dy persona të armatosur dhe të maskuar, të cilët u kanë kërkuar lekët. Vëllezërit nuk i janë bindur autorëve, të cilët kanë nxjerrë armët dhe i kanë qëlluar, duke i plagosur rëndë. Vëllezërit kanë marrë plagë të rënda në trup dhe në këmbëdhe ndodhen në gjendje të rëndë në spital.

R.POLISI

Exit mobile version