Presionet e huaja inflacioniste i janë rikthyer rritjes gjatë tremujorit të fundit të vitit 2023. Sipas Bankës së Shqipërisë, Treguesi i Presioneve të Huaja Inflacioniste është rritur me 3.4% gjatë këtij tremujori, kundrejt tkurrjes me 4.2% që shënonte gjatë tremujorit paraardhës.
Ky tregues llogaritet si rritja vjetore e indeksit të çmimeve të huaja dhe indeksit së Kursit Nominal Efektiv të Këmbimit, për periudhën përkatëse.
Nga analizat e lidhjes të treguesve përkatës me vonesa kohore të ndryshme, Banka e Shqipërisë ka arritur në përfundimin se Treguesi i Presioneve të Huaja Inflacioniste paraprin zhvillimet në komponentin e inflacionit të importuar me rreth tre deri në pesë muaj.
Rritja e Treguesit të Presioneve të Huaja Inflacioniste erdhi për shkak të shpejtimit të rritjes së çmimeve të huaja në 19.6% gjatë tremujorit të katërt, nga 12.4% në tremujorin e mëparshëm. Megjithatë, forcimi i kursit nominal të këmbimit ka vazhduar të amortizojë përcjelljen e çmimeve të huaja në inflacionin e importuar.
Për tremujorin e katërt, mbiçmimi nominal efektiv i kursit të këmbimit shënoi nivelin 16.2%, nga 16.6% në tremujorin e tretë. Ky tregues mat kursin e këmbimit të lekut kundrejt valutave të partnerëve kryesorë tregtarë të vendit.
Në linjë me rritjen e Treguesit të Presioneve të Huaja Inflacioniste ka qenë edhe ecuria e inflacionit të importuar. Ky i fundit ka shënuar rritje në tremujorin e fundit të vitit, duke kontribuuar mesatarisht me 28% në formimin e inflacionit total nga 24% në tremujorin paraardhës. Megjithatë, sipas Bankës së Shqipërisë, zgjerimi i kontributit të inflacionit të importuar nuk ka ndryshuar profilin e inflacionit total, të dominuar nga presionet e brendshme, të cilat kanë vijuar të drejtojnë vlerat e inflacionit, duke i mbajtur ato ende mbi objektiv.
Sipas INSTAT, inflacioni mesatar i tremujorit të katërt rezultoi në vlerën 3.9%, duke regjistruar një rënie prej 0.2 pikësh përqindjeje kundrejt tremujorit paraardhës dhe prej 4 pikësh përqindjeje kundrejt të njëjtës periudhe të një viti më parë. Trendi rënës i inflacionit u diktua nga dobësimi i presioneve të huaja inflacioniste, nga forcimi i kursit të këmbimit të lekut, si dhe nga materializimi gradual i ndikimit të kursit normalizues të politikës monetare.
Megjithatë, intensiteti i reduktimit të inflacionit erdhi në ngadalësim progresiv gjatë tre tremujorëve të fundit. Në veçanti, ngadalësimi i trendit rënës të inflacionit në tremujorin e katërt pasqyroi si rënien më të ngadaltë të çmimeve të ushqimeve në tregjet ndërkombëtare ashtu edhe rritjen e çmimeve të naftës. Ndërkohë, paralelisht me këto efekte të tregut të huaj, rritja e shpejtë e turizmit u pasqyrua në çmime të larta të shërbimeve dhe të qirave gjatë tremujorit të katërt.
Megjithëse inflacioni është në rënie, pritjet për inflacionin nga bizneset dhe konsumatorët janë rritur në tremujorin e katërt. Pritjet e bizneseve për inflacionin pas një viti janë 6%, rreth 0.2 pikë përqindje më lart se një tremujor më parë.
Pritjet e konsumatorëve për inflacioni pas një viti janë 11.2%, rreth 0.8 pikë përqindje më lart se tremujori i tretë i vitit 2023.
Vetëm pritjet e agjentëve financiarë kanë mbetur të pandryshuara në krahasim me tremujorin e tretë të vitit. Pritjet e këtyre të fundit shënuan vlera më të ulëta krahasuar me bizneset dhe konsumatorët, në të tre horizontet kohore. Agjentët financiarë presin që inflacioni pas një viti të jetë 3.8%, pas dy vitesh 3.5% dhe pas tre vitesh 3.3%./ Monitor