Inflacioni nën 3% deri në 2018

Banka e Shqipërisë e ka rishikuar me shtyrje objektivin për kthimin në ekuilibra të inflacionit.
Në fund të vitit 2015, Banka parashikonte se arritja e objektit të saj themelor, inflacionit në nivelin 3%, do të ndodhte në fillim të vitit 2018.
Por teksa parashikimet kanë dalë nga binarët në tremujorin e parë, ku treguesi ka qenë shumë afër zeros, Banka e shtyu pritjen e kthimin e tregut në objektiv në fund të vitit 2018.  Në fakt zhvillimet reale në ekonomi dy vitet kanë qenë poshtë pritshmërie të institucioneve financiare.
Kthimi më i ngadaltë i ekonomisë në ekuilibër dhe prania e presioneve më të forta dezinflacioniste në tregjet botërore, do të sjellin një kthim më të ngadaltë të inflacionit në objektiv, llogarit Banka e Shqipërisë. Inflacioni parashikohet të rritet gradualisht dhe të kthehet në objektivin e Bankës së Shqipërisë në tremujorin e katërt të vitit 2018.
Ndërkohë, Banka e Shqipërisë ka lajmëruar një ulje tjetër të normës bazë të interesit për të nxitur konsumin. Mirëpo edhe ky mjet duket se është afër ezaurimit, pasi mekanizimi  i politikës monetare po afrohet drejt dyshemesë.
Inflacioni vjetor në tremujorin e parë të vitit 2016 shënoi nivelin mesatar prej 0.7%, i ndikuar kryesisht nga vlerat e ulëta të inflacionit në muajt shkurt (0.2%) dhe mars (0.3%).
Analizat dhe vlerësimet tona tregojnë se, reduktimi i inflacionit në këto muaj i atribuohet kryesisht goditjeve të ofertës, të shprehura në rënien e inflacionit të çmimeve të ushqimeve të papërpunuara, të naftës dhe të shërbimeve të lidhura me të. Gjithashtu, rënia e inflacionit u ndikua edhe nga një efekt bazë, i lidhur me nivelet relativisht të larta të çmimeve të ushqimeve në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ky efekt pritet të jetë i pranishëm edhe gjatë muajve në vazhdim parashikon banka.

Exit mobile version