Bien sërish të ardhurat në prill, vjedhje drastike në tatime e dogana

Të ardhurat buxhetore në muajin prill për të dytin muaj kanë shënuar rënie në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë (prilli ishte më pak edhe se plani), ndërsa si katërmujor, rritja është ngadalësuar ndjeshëm.
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, të ardhurat në muajin prill ishin 8 për qind më të ulëta se plani dhe 0.9% më ulët se fakti i 2015. Nga 36.8 miliardë lekë që ishin planifikuar për t’u arkëtuar janë vjelur vetëm 34 miliardë lekë.
Edhe në raport me faktin 2015, të ardhurat në prill ishin rreth 1% më të ulëta (një vit më parë ishin mbledhur 34.4 miliardë lekë). Në mars, të ardhurat ranë me 3.5% në raport me faktin 2015.
Ndërsa për periudhën katërmujore të ardhurat kanë rezultuar rreth 7.3 për qind më të larta se e njëjta periudhë e vitit 2015. Por ritmet e rritjes janë ngadalësuar, duke marrë në konsideratë faktin se në janar-mars në krahasim me faktin e vitit të kaluar ishte 10% dhe dy mujori ishte rreth 16% rritje.
Ngadalësimi i rritjes së të ardhurave ishte i pritshëm, për shkak se rritja dy shifrore e dy mujorit i dedikohej dhe nivelit të ulët të të ardhurave në janar-shkurt 2015, për shkak të problemeve që u hasën me sistemin e ri online dhe uljes së importeve të mallrave të akcizës, teksa ato u importuan ndjeshëm më shumë në dhjetor 2014, në pritje të rritjes së taksave.
Financat duket se do ta kenë të vështirë të ruajnë ritmin e lartë të rritjes së të ardhurave të konstatuara në dy muajt e parë të vitit. Niveli ulët i të ardhurave në dy muajt e parë të vitit të kaluar dhe rritja e fortë e mallrave të akcizës, dy faktorët që ndikuan në rendimentin e mirë të janar-shkurtit, nuk pritet të “ndihmojnë” më në muajt në vijim.
Të ardhurat tatimore kanë arritur të jenë në linjë me planin, ku ecurinë më të mirë e ka shënuar tatimi mbi fitimin, që është 32% më i lartë se plani. Këtu financave u ka ardhur në ndihmë Bankers Petroleum, që pas një mosmarrëveshje me tatimet në dhjetor të vitit të kaluar ka rënë dakord të paguajë me këste një shumë prej 57 milionë dollarë, të cilin qeveria pretendon se është shmangur nga kompania. Si rrjedhojë Bankers po paguan rreth 4.2 milionë dollarë në muaj. Sipas të dhënave të publikuara nga tatimet, rezulton se diferenca fakt-plan në prill është rreth 4 milionë dollarë. Ky efekt do të shuhet në qershor, kur dhe Bankers të përfundojë pagesën e kësteve.
TVSh ka arritur planin, ndërsa akcizat ishin 7% më shumë. Tatimi mbi të ardhurat personale nuk e ka kapur planin me 4%.
Kanë qenë zëra të tjerë jo tatimorë që kanë pasur ecuri negative.
Deficitin në raport me planin në muajin prill e shënuan të ardhurat nga ndihmat me 693 milionë lekë. Të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale nuk e kapën planin me 114 milionë lekë, duke pësuar një rënie me 4%. Taksa mbi pasurinë gjithashtu pësoi rënie me 22% në raport me planin e prillit.
Rënie shënuan edhe të ardhurat nga sigurimet shoqërore me 3 për qind nga plani i muajit. Ministria e Financave kishte planifikuar të vilte të ardhura jo tatimore ne 4.6 miliardë lekë teksa janë arkëtuar vetëm 1.2 miliardë lekë, duke shënuar një mosrealizim 46% më pak se plani i muajit.

Exit mobile version